Kompania Rajonale e Ujësjellësit ka njoftuar se të hënën nga ora 22:30 do të ndërpritet furnizimi me ujë për konsumatorët e Fushë-Kosovës.
Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se kjo ndërprerje vjen si shkak i turbullirës së ujit në kanalin e Ibër Lepencit.
“Shkak i turbullirës së ujit në kanalin e Ibër Lepencit, vepra jonë e marrjes ka rënë nga sistemi Impianti i Trajtimit të Ujit ‘Shkabaj’, andaj detyrohemi të ndërpresim furnizimin me ujë të pijshëm për konsumatorët e Fushë Kosovës duke filluar sonte nga ora 22:30”, thuhet në njoftim.
KRU “Prishtina” ka njoftuar se si pasojë e kësaj turbullire mund të preken edhe disa zona të kryeqytetit.