Vjosa Osmani dhe Gabriel Escobar. Fotografi nga arkivi.
Presidentja Vjosa Osmani ka bërë tri vjet në krye të shtetit. Osmani u zgjodh presidente e vendit më 4 prill 2021, si gruaja e dytë në Kosovë që merr këtë post.
Në trevjetorin e punës, Osmani përmes një videoje ka përmbledhur punën e saj përgjatë këtyre tri viteve.
Osmani e ka përmbledhur punën e saj duke e nisur me fjalimin që e kishte në Parlamentin Evropian, ku tha se “Kosova është Evropë”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ndër të tjera, ajo përfshirë edhe deklaratën e emisarit special të SHBA-së, Gabriel Escobar, ku ai e quan atë si “garantuesja kryesore e marrëdhënieve dhe trashëgimisë së marrëdhënieve dypalëshe në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.
Këtë deklaratë të tij, Osmani e shoqëroi me pamjet nga fotografia e përbashkët që kishte me presidentin amerikan Joe Biden.
“3 vjet Presidente! Gjithnjë në shërbim të Republikës!”, ka shkruar Osmani krahas videos.
Më katër prill të vitit 2021, Vjosa Osmani ishte zgjedhur në postin e presidentes së Kosovës.
Me 71 vota pro nga 82 sa ishin në kutinë e votimi, Vjosa Osmani ishte zgjedhur në krye të shtetit. Ajo është gruaja e dytë që votohet nga Parlamenti i Kosovës për këtë post, dhe presidenti/ja e gjashtë me radhë e Kosovës.
Zgjedhja presidente e Osmanit ishte bërë në raundin e tretë të votimit, meqë në dy raundet e para nuk kishte marrë votat e mjaftueshme, 80 sosh ose 2/3 e deputetëve të Kuvendit.
Gjatë këtij fjalimi, ajo kishte dhënë një porosi për vajzat dhe gratë duke u thënë se, gjithçka është e mundur kur ato ëndërrojnë dhe punojnë për realizimin e ëndrrave të tyre.
“Sot po e përmbyllim parathënien e historisë e re politike të Kosovës. Sot, Kosova zgjodhi edhe njëherë një presidente grua dhe për të gjitha vajzat e vogla shpresoj që ta mbani mend këtë që po e them tani. Vajzat e kanë vendin aty ku ato vetë dëshirojnë dhe ëndërrojnë”, ishte shprehur presidentja.