Për vitin në të cilin përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka arritur rezultate të mëdha dhe xhudistet kanë fituar plot medalje në kampionat botëror e Lojëra Evropiane, gara për çmimin e sportistit më të mirë është shumë e fortë. Grupi KOHA, sipas traditës, shpall më të mirët e vitit, në ceremoninë që tashmë shërben si matës për palët e tjera që shpallin më të mirët në sport.
Ceremonia “Sportisti i Vitit 2019” e Grupit KOHA do të mbahet të hënën (sot)nga ora 19:30 në hotelin “Emerald” në afërsi të Prishtinës. Është ky edicioni i 21-të i ceremonisë “Sportisti i Vitit”. Grupi KOHA mburret me traditën më të gjatë të vlerësimit të sportistëve në fund të vitit. Për herë të parë gazeta “Koha Ditore” kishte vlerësuar atletin Zijadin Kryeziu si sportist të vitit 1997.
Në vitet 1998 e 1999, për shkak të luftës nuk u shpall sportisti i vitit, por ceremonia vazhdoi prej vitit 2000 tashmë së bashku me televizionin KTV. Besnik Hasi fitoi çmimin në vitin 2000 e Kushtrim Munishi në vitin 2001. Luan Krasniqi ishte më i miri në vitin 2002 e më pas nisi të shpallej edhe sportistja e vitit krahas sportistit. Nga dy fitues ishin deri në vitin 2008 e më pas Majlinda Kelmendi kishte dominim të plotë për tre vjet. Në vitin 2012 Majlinda u nxor nga konkurrenca dhe kështu u hap rrugë për dominim të xhudistes tjetër, Nora Gjakova dhe basketbollistit Dardan Berisha. Nora ka fituar shtatë herë rresht, kurse Dardan Berisha ka fituar katër çmime në shtatë vjetët e fundit. Vjet fitues ishin Nora Gjakova dhe vëllai i saj, Akil Gjakova, po ashtu xhudist.
Në edicionin e 20-të konkurrenca ishte e fortë, por edhe më e fortë është për edicionin e 21-të. Në Lojërat Evropiane xhudistet kosovare kanë fituar tri medalje. Tri medalje janë fituar edhe në Botërorin e xhudos për seniorë. Xhudistët kanë vazhduar të fitojnë medalje edhe në kategori të reja në ngjarjet më të mëdha.
Famën këtë vit megjithatë e kishte përfaqësuesja në futboll që pati kampanjë të suksesshme në eliminatoret për “Euro 2020”, ndonëse nuk siguroi kualifikimin. Kosova ka shënuar fitore ndaj Çekisë, Malit të Zi e Bullgarisë, ndërsa është paraqitur fuqishëm edhe ndaj Anglisë. Klubet e futbollit kanë mbetur në nivel të njëjtë, ndërsa ka pasur avancim nga klubi i futbollisteve.
Ka pasur suksese edhe në sportet e tjera. Përmes hendbollit, Kosova për herë të parë ka garuar në Botëror në sportet ekipore. Bëhet fjalë për Botërorin e juniorëve të mbajtur në Spanjë në verë. Ka pasur suksese edhe në atletikë, boks, basketboll e sporte të tjera.
Rrjedhimisht gara për çmimet kryesore, ato të sportistëve të vitit, është shumë e fortë. Por edhe te të rinjtë gara do të jetë e fortë, njëjtë si për klubet. Sipas traditës, përmes çmimeve të veçanta, Grupi KOHA nderon personalitetet që japin kontribut të madh për sportin dhe që e kanë bërë këtë në të kaluarën. Prej çmimeve kryesore është ai që mban emrin e kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi. KOHA ka themeluar çmim me emrin e Majlindës për të nderuar veprën e saj e përmes kësaj edhe personalitete të tjera të sportit.
Nominimet për kandidatët nëpër kategori i bëjnë redaksitë e sportit në “Koha Ditore” dhe KTV. Ndërsa më të mirët përzgjidhen nga juria profesionale, e përbërë nga emra të respektuar të sportit e po ashtu nga një përfaqësues i redaksive të gazetës dhe televizionit.
Fituesit e deritashëm
1997: Zijadin Kryeziu
2000: Besnik Hasi
2001: Kushtrim Munishi
2002: Luan Krasniqi
2003: Afrim Latifi – Kaltrinë Krasniqi
2004: Luan Krasniqi – Besire Domaniku
2005: Luan Krasniqi – Majlinda Kelmendi
2006: Habib Ademi – Daulina Osmani
2007: Arben Muqolli – Majlinda Kelmendi
2008: Visar Berisha – Majlinda Kelmendi
2009: Majlinda Kelmendi
2010: Majlinda Kelmendi
2011: Majlinda Kelmendi
2012: Nora Gjakova – Shpëtim Idrizi
2013: Nora Gjakova – Dardan Berisha
2014: Nora Gjakova – Dardan Berisha
2015: Nora Gjakova – Dardan Berisha
2016: Nora Gjakova – Herolind Nishevci
2017: Nora Gjakova – Dardan Berisha
2018: Nora Gjakova – Akil Gjakova
Të nominuarit për ceremoninë “Sportisti i Vitit 2019”
Sportisti më i mirë i ri i vitit:
Melos Gashi (karate)
Muhamet Ramadani (atletikë)
Jon Muqolli (hendboll)
Sportistja më e mirë e re e vitit:
Albulena Gërvalla (karate)
Laura Fazliu (xhudo)
Kaltrina Biqkaj (futboll)
Klubi më i mirë i vitit (meshkujt):
Besa Famgas (hendboll)
Feronikeli (futboll)
Sigal Prishtina (basketboll)
Klubi më i mirë i vitit (femrat):
Mabetex Prishtina (basketboll)
Mitrovica (futboll)
Istogu (hendboll)
Sportisti i vitit:
Akil Gjakova (xhudo)
Vedat Muriqi (futboll)
Patriot Behrami (boks)
Deniz Terziqi (hendboll)
Dardan Berisha (basketboll)
Sportistja më e mirë e vitit:
Nora Gjakova (xhudo)
Distria Kransiqi (xhudo)
Loriana Kuka (xhudo)
Leonora Demaj (hendboll)
Liridona Syla (futboll)
Fituesit e vitit të kaluar
Sportistja më e mirë e vitit: Nora Gjakova (xhudo)
Sportisti më i mirë i vitit: Akil Gjakova (xhudo)
Sportistja më e mirë e re e vitit: Erza Muminoviq (xhudo)
Sportisti më i mirë i ri i vitit: Shpat Zeka (xhudo)
Klubi më i mirë i vitit te femrat: Istogu (hendboll)
Klubi më i mirë i vitit te meshkujt: Drita (futboll)
Çmimi “Majlinda Kelmendi”, post-mortem: Fadil Vokrri
Sportisti i vitit sipas votimit në internet: Majlinda Kelmendi
Punëtori sportiv i vitit: Driton Kuka
Mirënjohje e Veçantë: Përfaqësuesja në futboll & Bernard Challandes
Mirënjohje për Vepër Jetësore: Ajet Shosholli