Kosova do të përfaqësohet me katër garuese në këtë garë të rëndësishme, ndërsa për Erza Muminoviqin, Flaka Loxhën dhe Laura Fazliun, kjo do të jetë hera e parë që marrin pjesë në “Grand Prix Tel Aviv”.
Ekipi kosovar nesër dhe pasnesër do të garojë në “Grand Prix Tel Aviv” të Izraelit, shkruan Gazeta Express.
Kjo është gara e parë e vitit olimpik, ku fitohen pikë olimpike.
Në këtë “Grand Prix”, Kosova merr pjesë me këta garues: Erza Muminoviq (-52kg), Nora Gjakova (-57kg), Flaka Loxha (-57kg) dhe Laura Fazliu (-63kg).
Erza, Flaka dhe Laura do të marrin pjesë për herë të parë në një garë të këtij niveli.
Erza Muminoviq në meçin e parë takohet me brazilianen Sarah Menezes, hiç më pak se kampione olimpike në Londër 2012, njofton Federata e Xhudos së Kosovës.
Nora Gjakova në meçin e parë takohet me garuesen nga Hong Kongu, Sum Po Leung.
E Flaka Loxha në meçin e parë takohet me garuesen nga Kazakistani, Sevara Nishanbayeva.
Kurse, Laura Fazliu ndeshet pasnesër dhe në meçin e parë takohet me fituesen e duelit ndërmjet ruses Ekaterina Valkova dhe meksikanes Prisca Awiti Alcaraz.