Riinfektimi me COVID-19 mund të vijë si shkak i antitrupave të paktë që mbesin në trupin e njeriut pas infektimit herën e parë që ka pasur.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka thënë se ata që e kanë kaluar koronavirusin në korrik, janë pa antitrupa dhe që ka gjasa që të riinfektohen.
“Një pjesë e madhe, përcjelljen që kam bërë për rastet që dalin pozitive nga ikshpk dhe atyre të testimeve serologjike, tash vërejmë rënien e antitrupave të personave që janë infektuar nga fillimi i marsit deri në fund të gushtit. Është individuale, nuk është e njëjtë tek të gjithë. Ka persona që kanë qenë të infektuar në korrik, ende kanë antitrupa por janë të paktë. Një numër i atyre që kanë kaluar covid-19 deri në korrik, praktikisht tani janë pa antitrupa”, tha ai në DESKU të KTV-së.
Ndërsa, zëdhënësi në MSH, Faik Hoti, tha se për të marrë të gjitha të dhënat për personat në Kosovë që janë infektuar më shumë se një herë, duhet të pritet deri pas përfundimit të pandemisë.
“Në IKSHPK të gjitha mostrat dërgohen me në një emër dhe pas përfundimit të pandemisë, mund të filtrohen informacione dhe të gjenden persona që janë riinfektuar. Nuk ka ende të dhëna të sakta se sa zgjatë imuniteti nga hera e parë që ka qenë i infektuar. Duke pa disa raste që brenda një intervali të vogël dy herë janë infektuar, është alarm për qytetarët t’i shtojnë masat e kujdesit, të mos krijojnë komoditet se nuk ka rrezik dhe të ruhen”, tha ai.