Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se kjo javë nuk mund të harrohet, pasi që rekordi i rasteve pozitive me virusin korona kalonte njëri – tjetrin nga dita në ditë.
Gashi tha se ky është një epilog i zi dhe shumë i keq për të gjithë e pa përjashtim, ku bilanci i kësaj jave është me 42 të vdekur nga COVID-19 dhe 13 mijë e 62 raste të reja.
“Bashkëndjej me familjarët që kanë humbur më të dashurit e tyre nga ky armik i padukshëm, me ç’rast u shpreh edhe ngushëllimet më të sinqerta. Bashkëndjej me të infektuarit dhe uroj e lutem për shërimin e tyre sa më të shpejtë”, ka shkruar Gashi në llogarinë e tij në Facebook.
Më tej, ai shpreh respekt për mjekët, ku thotë se puna e të cilëve padyshim është heroike, teksa apelon që të tejkalohen kauzat politike në kurriz të jetës së qytetarëve, duke u bërë bashkë, sepse sipas tij kjo është lufta e të gjithëve dhe të gjithë i duhen njëri-tjetrit, të gjallë e të shëndetshëm.
“Vaksinimi dhe respektimi i masave kundër Covid-19 janë armët tona. T’i përdorim ato, sepse kështu shpëtojmë veten, familjet tona si dhe shoqërinë tonë”, tha Gashi, përcjellë Klankosova.tv.