Fjalë Kyçe

“Gastronomia mund të mbyllet në orën 22:00”, ministri Latifi paralajmëron masat e reja anti-COVID

“Gastronomia mund të mbyllet në orën 22:00”, ministri Latifi paralajmëron masat e reja anti-COVID

Komitetit për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 ka mbajtur sot mbledhje. Pas kësaj mbledhjeje, ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka thënë se masat do të rishikohen dhe se ende janë duke u diskutuar.

Ai ka deklaruar se do të ketë ndryshim të masave, konform situatës epidemiologjike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Natyrisht se do të ketë ndryshim të masave. Këto masa do të jenë në proporcion me zhvillimet dhe përhapjen e rasteve, COVID-it. Do të jenë në proporcion me nevojat për zhvillimin e fëmijëve në shkolla, me mbajtjen e shkollave hapur, me mbajtjen e ekonomisë hapur”, deklaroi Latifi.

Latifi tha se me masat e reja, lokalet e gastronomisë mund të mbyllen në orën 22:00.

“Është shumë e mundshme që lokalet duhet të mbyllen në orën 22:00, por këtë do ta vendosim bashkërisht të gjithë. Do ta dorëzojmë në Qeveri sot pasdite, ose nesër në mëngjes”, ka deklaruar Latifi.

Rishqyrtimi i masave anti-COVID vjen pas rritjes së madhe të rasteve me koronavirus.

Vetëm dje në Kosovë janë regjistruar 2050 raste me koronavirus. Aktualisht në Kosovë janë 7 mijë e 228 raste aktive me koronavirus.