Gazetari i njohur spanjoll, Rafael Escrig, duket se është impresionuar me performancat e sulmuesit kosovar të Mallorcas, Vedat Muriqi.
Shtatlarti prizrenas nuk po ndalet së shënuari në La liga, teksa tundi rrjetën edhe mbrëmë ndaj Espanyolit, për të shkuar në kuotën e gjashtë golave kampionalë, në 10 ndeshje të luajtura.
Ndonëse ky gol nuk ia dha fitoren skuadrës së tij, impakti i Muriqit po e lë pa mend Escrigun, transmeton lajmi.net.
“Jeta ime ka ndryshuar pasi e kam parë nga afër Muriqin”, theksoi ai përmes një postimi në Twitter, duke shprehur kështu admirimin e madh që ka për lojtarin.
Sulmuesi i kombëtares së Kosovës po vijon ta mbajë për dore ekipin spanjoll me golat e tij.
Mbrëmë ndeshja ndaj Espanyolit përfundoi në barazim, por që pati disa vendime të diskutueshme në dëm të Mallorcas.