Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në fjalimin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën, ka kritikuar UNMIK-un për, siç tha ajo, shtrembërim të fakteve dhe humbje të kredibilitetit si mision i OKB-së.
Ajo nisi fjalimin duke rikujtuar ndërhyrjen e NATO-s më 24 mars 1999, si përgjigje ndaj gjenocidit të Serbisë në Kosovë, duke theksuar se Kosova sot është demokraci funksionale, e përkushtuar ndaj vlerave perëndimore dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
“Kosova është shembulli më i mirë se ndërhyrja kundër gjenocidit ka mundësuar lulëzimin e një demokracie perëndimore. Sot jemi shtet sovran, i ankoruar drejt Perëndimit”, deklaroi Gërvalla.
Ministrja sulmoi retorikën dhe veprimet e Serbisë, duke përmendur sulmin e 24 shtatorit 2023, të kryer nga një grup paramilitar i lidhur me Beogradin, që rezultoi me vrasjen e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku. Ajo theksoi se Serbia e ka mbështetur politikisht dhe ushtarakisht këtë grup, duke përsëritur kërkesën për dorëzimin e “kokës” së këtij sulmi, Milan Radoiçiqit. Gërvalla theksoi se Radoiçiqi njihet për lidhjet me krerët shtetërorë të Serbisë.
“Ta quash këtë ‘incident sigurie’, siç bën UNMIK-u në raportin e vet, është shtrembërim i fakteve. Ky ishte akt lufte, akt terrorizmi. Organizatori i sulmit të Banjskës, Radoiçiq, njihen për lidhjen me ministrin e Jashtëm të Serbisë që sot është këtu, Gjuriq dhe presidentin Vuçiq. Radoiçiq ka fotografi publike në kafene në Beograd me Gjuriqin”, shtoi ajo.
Gërvalla po ashtu përmendi aktin e sabotimit më 29 nëntor 2024, kur kanali Ibër-Lepenc u godit me eksploziv, duke rrezikuar jetën dhe mirëqenien e mijëra qytetarëve.
“Vuçiqi kishte thënë se do ta hetonin, por kishte refuzuar të bashkëpunonte në hetimi ndërkombëtar që u bë për këtë sulm. Kërkojmë nga Serbia të bashkëpunojë plotësisht për hetimet ndërkombëtare”, ka potencuar Gërvalla.
Ajo akuzoi UNMIK-un se po i jep jehonë propagandës serbe, ndërkohë që organizata të tjera ndërkombëtare si BE, OSBE dhe Këshilli i Evropës kanë dhënë vlerësime të balancuara dhe objektive për zhvillimet në vend. Sipas saj, UNMIK-u nuk përmbush më asnjë funksion që ta justifikojë praninë e vazhdueshme.
“UNMIK-u nuk po e pengon Kosovën, por po dëmton kredibilitetin e vetë OKB-së. Raportet e tij shtrembërojnë përpjekjet tona për sundim të ligjit dhe luftë kundër krimit. Kosova vazhdon të punojë ngushtë me agjenci të tjera të OKB-së, por UNMIK-u nuk përmbush asnjë funksion që do të justifikonte praninë e vazhdueshme, ndërsa organizatat e tjera si OSBE, Këshilli Evropian, BE vazhdimisht ofrojnë vlerësime të balancuara për zhvillimet në Kosovë. UNMIK-u vazhdon të shtrembërojë faktet, duke e keqorientuar vetë këtë Këshill. Është evidente se si e paraqet raporti përpjekjen legjitime të Kosovës për ta forcuar sundimin e ligjit, për ta luftuar krimin e organizuar… Kosova ka shënuar suksese domethënëse në çmontimin e strukturave ilegale në katër komunat veriore. 13 laborator droge, të përkrahur nga shteti serb që kanë prodhuar drogë për miliona viktima në gjithë Evropë, në vlerë qindra miliona euro, gjitha këto janë çmontuar. Janë gjetur edhe mjete për vepra terroriste. Kjo është mbrojtje të qytetarëve tanë, por UNMIK-u i bën jehonë propagandës serbe”, ka deklaruar Gërvalla.
Ndërkohë përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh ka deklaruar se qeveria e re e Kosovës është e rëndësishme për të bërë hapa konkret për mirëqenien e popullit të Kosovës, si dhe implementimin e zotimeve që janë bërë nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja.
Ajo në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ka thënë se shpreson se qeveria e re do të krijohet pas zgjedhjeve që janë mbajtur me 9 shkurt.
“Pasi të krijohet qeveria e re është e rëndësishme për të bërë hapa konkret për mirëqenien e popullit të Kosovës, si dhe implementimin e zotimeve që janë bërë nga dialogu I lehtësuar nga BE”, tha ai.
Ziadeh inkurajojë grupin punues për personat të pagjetur që të punojnë së bashku për të zgjidhur fatin e personave të të zhdukurve, për të cilët familjarët kërkojnë përgjigje.
Ajo tha se ka vizituar veriun dhe qytetarët atje shpresojnë që dialogu në Brukselit ë vazhdon dhe serbët të kenë një lloj zotësie në kuptimin e vet menaxhimit në kuadër të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjatë fjalimit Ziadeh ka dënuar sulmin ndaj Kanalit të Ibër-Lepencit më 29 nëntor të vitit të kaluar.
Po ashtu u përmend edhe ndalimi i 16 “pelegrinëve” serbë në fundjavë në Gjakovë e Prizren. Shumica e tyre janë liruar.
E ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka folur “për persekutim të serbëve” në Kosovë. Ai tha se se “po vërehen pasojat e precedentit të vendosur në vitin 2008 me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës”.
Është ankuar “për shkelje” gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke thënë se i është marrë një ulëse Listës Serbe.
Ai tha se në dialogun Kosovë – Serbi duhen “energji të reja”.
E ambasadori rus në OKB, Vasily Nebeznya, ka thënë se shpreson që Gjykata Speciale “t’i dënojë në mënyrë shembullore liderët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999”.