Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se vendosmëria e Perëndimit do të vendosë për fatin e Ballkanit.
Ajo sa i përket dialogut ka thënë se Kosova e ripërsërit ofertën se është e gatshme të nënshkruajë dokumentet që BE-ja i ka propozuar, porse presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka refuzuar këtë.
“Po përballemi me atë për të cilin qëndron ky Këshill i Sigurimit, me kërcënimin më të madh të sigurisë në Evropë pas luftës në Ukrainë. Vendosmëria e Perëndimit vendos për fatin e Ballkanit. Jam e bindur për këtë…Sa i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja, më lejoni ta përsërisë se oferta mbetet e hapur. Jemi të gatshëm të nënshkruajmë dokumentet që BE-ja i ka propozuar. Po presim nënshkrimin e Vuçiqit, por ai s’po vjen dhe në vend të kësaj vazhdon të përsërisë se s’ka obligime për Serbinë nga marrëveshja. Është shenjë e keqe. Vërtetë shpresoj që viti 2025 do të ketë rifillim të ri në dialog me objektivë e strategji të qartë, që na mundëson hapa të vegjël kudo që të jetë e mundur, që të mund të tejkalojmë këtë ngecje të shkaktuar nga Serbia”, tha Gërvalla në Këshill të Sigurimit të OKB-së.
Ajo sa i përket pjesëmarrjes së serbëve në institucione të Kosovës, ka thënë se është çështje e ndjeshme pasi serbët janë larguar vetë nga institucionet.
“Serbia kërkoi që t’i braktisin. I kërcënoi ata që nuk deshën të largohen dhe e bënë të pamundur që ata të jenë në këto institucione”, ka thënë Gërvalla.
Gërvalla kja thënë se fton Serbinë ta barazojë nivelin e mbrojtjes së pakicave në Serbi siç mbrohen pakicat nga Kosova.
Ajo ka përmendur diskriminimet që u bëhen shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Po ashtu i ka lutur të gjithë që të kontrollojnë burimin e informatave e të mos bien pre e dezinformatave.
E ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë fjalimit i ka thënë Gërvallës se “në bazë të drejtës ndërkombëtare publike, Vuçiq është edhe president i juaji”.
Ka përmendur po ashtu çështjen e shtëpisë së Xhafer Devës.