Një person sot është gjetur i vdekur në një trotuar në Terpezë të Malishevës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha për KosovaPress, se rasti është raportuar rreth orës 07:00.
“Viktima, mashkull i moshës madhore, është gjetur pa shenja jete në trotuar, afër rrugës në fshatin Terpezë-Malishevë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor i QKMF-së në Malishevë”, ka thënë ai.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rast hetim i vdekjes, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.