Fjalë Kyçe

Gjendet trupi i viktimës së katërt të aksidentit në Shkup. Stabile gjendja e 4-vjeçarit që shpëtoi

Gjendet trupi i viktimës së katërt të aksidentit në Shkup. Stabile gjendja e 4-vjeçarit që shpëtoi

Në katër ka shkuar numri i viktimave nga aksidenti tragjik në Shkup. Pasditen e së premtes është gjetur edhe trupi i pajetë i ngasësit të automjetit që përfundoi në lumin Vardar. Ndërkaq është stabile gjendja e 4-vjeçarit që shpëtoi.
Është gjetur edhe trupi i viktimës së katërt të aksidentit që ndodhi një ditë më parë në rrugën nga Saraji për në fshatin Rrashçe të Shkupit, kur një veturë përfundoi në lumin Vardar.

Viktimat janë të nacionalitetit shqiptar dhe i përkasin familjes Asllani, përkatësisht dy prindër me vajzën dhe nusen e djalit. Ka shpëtuar vetëm një fëmijë rreth 4-vjeçar, të cilin forca rrotulluese e automjetit e ka nxjerrë jashtë, përpara se të përfundonte në lumë.

Derisa tri viktimat e para u gjetën të enjten mbrëma, trupi i të moshuarit që dyshohet se ishte duke drejtuar veturën është gjetur pasditen e së premtes.

Sipas kryetarit të zjarrfikësve, që morën pjesë në operacionin për gjetjen e tyre, terreni i vështirë ka pamundësuar veprimin më të shpejtë të autoriteteve përkatëse.

“Kushtet e vështira kanë qenë poshtë, ka pas nevojë të priten shumë dru edhe të hyhet me ekskavator deri poshtë edhe me kamionin tonë. Në bashkëpunim me forcat e rendit, policinë dhe njësitin për intervenim të shpejtë ‘Tigrat’, kemi bashkëpunuar me ato. Njëri prej atyre u zhyt, kishte zhytës, e lokalizuam saktësisht ku gjendet vetura edhe pse një pjesë e veturës ishte jashtë mirëpo nuk shihej se çka ka brenda, si është, sa është thellë. Filluam me tërheqjen e veturës deri në ora 23 e 30, tri orë zgjati operacioni”, ka thënë Artan Demiri, kryetar i zjarrfikësve.

Familjarë të viktimave thanë se në ndihmë iu kanë dalë edhe banorët e fshatrave përreth vendit ku ndodhi aksidenti.

“Është motra me dhëndrin, me mbesën dhe me nusen e vet. Falë fshatarëve të fshatit Sfillare dhe të fshatrave përreth, ato shumë kanë ndihmuar përndryshe këto të tjerët shumë dobët. Veturën e kam pa atje, e kishin lidh me një litar metalik, këta banorët e fshatrave përreth”, u shpreh Xhevdet Bela.

Gjendja e 4-vjeçarit që i shpëtoi aksidentit është raportuar të jetë stabile.