Fjalë Kyçe

“Gjendje e rëndë”, opozita kritikon Qeverinë për menaxhimin e shëndetësisë

“Gjendje e rëndë”, opozita kritikon Qeverinë për menaxhimin e shëndetësisë

Skandalet e vazhdueshme, keqmenaxhimi nëpër klinika e përzgjedhja e drejtorëve, janë disa nga kritikat që i përmendin partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për menaxhimin e sektorit të shëndetësisë nga Qeveria Kurti.

Ata kritikojnë dhe furnizimin me barna esenciale dhe ankesat e shumta të pacientëve, ndërsa theksojnë se ndërhyrjet e politikës në shëndetësi, janë bërë praktike. Kritika kanë edhe për Bordin e kaluar të SHSKUK-së, për të cilin thonë se ka keqpërdorur miliona euro.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se auditori kishte gjetur keqpërdorime të mëdha nga Bordi i SHSKUK-së. Për këta të fundit, Haxhiu thotë se ishin njerëz të afërt me partinë në pushtet.

“Sigurisht se ka ndërhyrje politike dhe janë të shpërfaqura përveç që po e dëmton në aspektin menaxherial është duke e dëmtuar edhe në aspektin buxhetor. Bordi i kaluar i cili ishte gjithashtu politik sikurse ky i tanishmi kishte një keqmenaxhim ku Auditori kishte hasur për dy vite keqpërdorime me mbi 15 milionë e 600 mijë euro dhe për shkak se ishin njerëz politik të emëruar në ato detyra ata u lejuan që të përfundojnë mandatin pa pasur ndëshkime për ta për keqmenaxhim dhe keqpërdorimet të cilat i kishte evidentuar Auditori. Njëjtë është duke u vazhduar edhe me Bordin aktual, ndërhyrje politike emërime politike në pozita kyçe si te drejtori i QKUK-së po edhe pastaj në spitale tjera edhe në klinika po vazhdojnë të emërohen në pozita profesionale njerëz tërësisht politik”, thotë Haxhiu.

Haxhiu thekson se ndërhyrjet e politikës në shëndetësi janë bërë praktikë, teksa përmend largimin e profesionistëve nga pozitat kyçe.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, vërejtjet i gjen tek furnizimi me barna dhe listën e gjatë të pritjes. Ndërkaq, barrën thotë se po e bartin pacientët.

“Ka pas vërejtje në përgjithësi nuk ka pas dinamikë të zhvillimit pozitiv ose të investimeve mos të them fare pak por problemi është te furnizimi në barna dhe lista e gjatë e pritjes, kjo e vështirëson edhe marrjen e shërbimeve për pacientë por edhe koston e jetesës së qytetarëve që tash është tejet e rënduar për shkak të gjendjes ekonomike, rritjes së çmimeve, energjisë elektrike dhe shumë gjërave negative”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Zemaj përmend edhe shkarkimet e shpeshta në SHSKUK dhe dorëheqjet e shpeshta në vitet e fundit, raste këto që sipas tij e kanë karakterizuar një gjendje të rëndë shëndetësinë kosovare. Ish-ministri i Shëndetësisë tregon për mungesat që përballen pacientët.

“Po për shkak të keqmenaxhimit ka pasur lista të gjata të pritjes dhe ka ende në vazhdimësi, furnizim i dobët kontrata joadekuate të cilat shpeshherë janë kthyer në pikën zero ndërsa kanë munguar furnizimet. Pacientët çdoherë kanë pasur ankesa reale sidomos për furnizimet më bazike dhe elementare ku ka pas mungesa edhe të infuzioneve dhe shiringave, katedrave deri të letra higjienike e mos të flasim për keqmenaxhimin e brendshëm krijimin e një klime të keqe brenda institucionit të klinikës së QKUK-së por edhe në spitale rajonale. Shkarkimet e shpeshta, dorëheqjet e shpeshta në këto tri vite kanë karakterizuar një gjendje edhe të klimës së krijuar nga ndërtimet direkte, politike për të krijuar një qasje negative të udhëheqjes së një individi por jo të një pune ekipore siç është vetë menaxhimi për shëndetësi”, ka thënë Zemaj.

Kritikë të veçantë, Zemaj ka edhe për mënyrën se si janë larguar drejtorët nëpër klinika.

“Kjo e dëmton shumë sepse janë larguar menaxheret të cilët kanë pasur përvojë të gjatë janë instaluar njerëz të cilët për mendimin tim dhe mendimin e përgjithshëm të gjendjes së krijuar njerëz të cilët për shkak mos të them në mungesë të përvojës menaxheriale kanë krijuar një klimë të keqe kolegjiale, kjo ka bërë që pacientet të kenë vështirësi në marrjen e shërbimeve ose edhe në skandale të cilat kanë ndodhur në vazhdimësi. Këto ndërhyrje kanë krijuar një ambient toksik brenda institucioneve të shëndetësisë dhe fatkeqësisht nuk ka ndonjë adresë e cila kërkon ose ofron zgjidhje. Ministri, Ministria, Qeveria është shumë inerte vetëm aty ku ka interesa të tyre personale dhe kjo është parë si diçka e keqe në këto tri vitet e fundit”, u shpreh Zemaj.

Kritika për menaxhim të shëndetësisë ka edhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, i cili kërkon që politika t’i mbajë duart larg shëndetësisë.

“Shëndetësia nuk është mirë kjo është konstatim i mëhershëm që e kam bërë dhe vazhdon të jetë situatë e njëjtë vazhdojnë të paraqiten skandal pas skandali nëpër spitale tona qofshin nga aspekti i mungesës së ofrimit të shërbimit cilësor shëndetësor qoftë nga mungesa e shërbimeve shëndetësore, nga mungesa e stafit listës esenciale, listës së pritjes pra kemi të bëjmë me një numër të konsiderueshëm të dështimeve të cilat janë varg. Realisht politika duhet t’i mbajë duar larg nga shëndetësia sepse shëndetësia ka mjaft probleme të veta mos të flasim më kur të përzihet politika brenda aty gjithçka merr të mbrapshtën”, deklaroi Dreshaj. /EO