Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla nga Gjermania thotë se sot ka marrë mbështetje edhe për liberalizimin e vizave.
Ajo është pritur në një takim zyrtar nga Matthias Lüttenberg – Shef i Departamentit për Evropën Juglindore në Zyrën e Kancelares Gjermane dhe Christiane Hullmann – Shefe e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Në takimin e mbajtur në Ambasadën e Kosovës në Berlin, MPJ-ja njofton se ajo ka marrë sinjale pozitive për liberalizimin e vizave për Kosovën, në kohën kur Gjermania kryeson presidencën e Këshillit Evropian.
“Lidershipi i Gjermanisë si aleatja më e madhe e Kosovës në Evropë, veçanërisht tani kur kryeson Presidencën e Këshillit Evropian, është qenësor në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Fitova bindjen se ka sinjale pozitive në drejtim të një epilogu të suksesshëm të këtij procesi”, është shprehur ajo.
Ka theksuar se në këtë takim është diskutuar edhe për dialogun Kosovë- Serbi, ku ka potencuar se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është qëndrim unik i Republikës së Kosovës.
“Diskutuam edhe për dialogun Kosovë – Serbi, ku theksova se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është qëndrim unik i Republikës së Kosovës. Rrëshqitja në dialog me tema teknike, dhe pa kornizë kohore, është kundërproduktive, dhe besojmë fuqishëm që Gjermania do të luaj rolin e saj vendimtar njësoj sikur në kohën kur rrëzoi idetë e rrezikshme të lëvizjes së kufijve në Ballkan”, është shprehur kryediplomatja Haradinaj-Stublla.