Dhjetëra mijëra migrantë që kanë jetuar në Gjermani për vite pa leje afatgjatë për të qëndruar aty, do të kenë të drejtën e qëndrimit të përhershëm, pasi qeveria aprovoi ligjin e ri për migrimin të mërkurën, raportoi AP-ja.
Ligji i ri vlen prek rreth 136,000 persona që në Gjermani kanë jetuar për të paktën pesë vjet deri më 1 janar 2022.
Ata që kualifikohen mund të aplikojnë fillimisht për status njëvjeçar në Gjermani. Ata duhet të fitojnë mjaftueshëm para për ta bërë jetë të pavarur, të flasin gjermanisht dhe të dëshmojnë se ata janë “mirë të integruar” në shoqëri.
Ata nën moshën 27 vjeç mund të aplikojnë për qëndrim të përhershëm në Gjermani nëse kanë jetuar aty për tri vjet.
“Ne duam që njerëzit që janë mirë të integruar të kenë mundësi të mira në shtetin tonë”, ka thënë ministrja e Brendshme, Nancy Faeser.
Ligji do ta bëjë më të lehtë edhe për azilkërkuesit të mësojnë gjermanisht – deri tash vetëm ata me shanse reale për marrje të azilit në Gjermani zgjidheshin për klasat e gjuhës.
Për punëtorët e kualifikuar, si specialistët e teknologjisë dhe informacionit, dhe të tjerë në profesione të cilat i kërkon vazhdimisht Gjermania, ligji do t’u lejojë që të lëvizin bashkë me familjet e tyre në Gjermani menjëherë, gjë që nuk ishte e mundur më parë. Familjarëve nuk u duhet të dinë gjuhën para se të shkojnë atje.
“Na duhet të tërheqim punëtorë të kualifikuar më shpejtë. Na duhet urgjentisht për shumë sektorë”, ka thënë Faeser. “Ne duam më shumë punëtorë të kualifikuar të vinë në Gjermani shumë më shpejtë dhe të marrin një mbështetje këtu”.