Fjalë Kyçe

Gjermania nuk ia njeh testet për Covid-19/ Çfarë laboratorë ka Kosova, ministria e Shëndetësisë nuk e di

Gjermania nuk ia njeh testet për Covid-19/ Çfarë laboratorë ka Kosova, ministria e Shëndetësisë nuk e di

Ministria e Shëndetësisë nuk është në dijeni se çfarë laboratori ka në institucionin e saj shëndetësor për testimet që kryhen për Covid-19. Madje nuk e di se pse Gjermania nuk i njeh testet për koronavirus që kryhen në shtetin e Kosovës.

Ambasada e Kosovës në Gjermani, sot doli me njoftim se çdo qytetarë i cili udhëton nga Kosova për në Gjermani obligohet t’i nënshtrohet vetizolimit ose karantinimit 14 ditor edhe nëse ka test negativ nga organet shëndetësore në Kosovë. Pasi, siç thuhet në njoftimin e ambasadës “në Kosovë aktualisht nuk ka laboratore, të cilët kryejnë teste për Covid-19, të cilat njihen në Gjermani”.

Në pyetjet e lajmi.net drejtuar MSH-së se çfarë laboratori për Covid-19 ka aktualisht Kosova, dhe çfarë laboratore po pretendon Gjermania që duhet t’i ketë Kosova, në mënyrë që të njihen këto teste? Në këtë ministri nuk janë në dijeni për laboratorët që ka Kosova.

Për këtë MSH-ja ka thënën se duhet drejtuar Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë.

“Ju lusim që për hir të saktësisë së interpretimit të një informate të tillë, të pyesni Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë”, thuhet në përgjigjën e MSH-së dërguar për lajmi.net.

Ndërkohë, në njoftimin e ambasadës thuhet se në Kosovë ekzistojnë kapacitete tejet të vogla për trajtim mjekësor intensiv dhe mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19.

“Nëse vendosni të udhëtoni jashtë vendit, përkundër paralajmërimit për udhëtim, ju lutem keni parasysh që ambasadat dhe konsulatat gjermane jashtë vendit nuk mund t’ju ndihmojnë gjatë kthimit për në Gjermani, në qoftë se gjatë qëndrimit jashtë vendit vendosen kufizime të reja të udhëtimit dhe/ose masa për kufizime të jetës publike. Ju lutemi të merrni në konsideratë që në Kosovë nuk garantohet një kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane, ndër tjerash ekzistojnë kapacitete tejet të vogla për trajtim mjekësor intensiv dhe mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Sipas kësaj, duket se nuk ka bashkëpunim ndërinstitucional mes ministrisë së Punëve të Brendshme, konkretisht ambasadës se Kosovës në Gjermani dhe ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë.