Skuadra e Galatasarayt ka shprehur interesim për shërbimet e mesfushorit të Përfaqësueses së Kosovës, Idriz Voca, kanë raportuar të enjten mediumet turke.
Bëhet e ditur se Galatasaray po kërkon transferimin e Vocës gjatë këtij muaji, pasi e sheh përforcim të duhur për repartin e mesfushës.
Galatasaray tashmë ka kontaktuar Luzernin, me të cilin ekip, Voca ka kontratë deri në fund të këtij edicioni dhe për kartonin e tij ka ofruar dëmshpërblim simbolik, duke pasur parasysh se në verë mesfushori do të jetë i lirë.
“Mesfushori i Luzernit, Idriz Voca, mund të jetë përforcim i madh te Galatasaray në janar”, ka shkruar “Fanatik” të enjten.
Voca 22-vjeçar këtë edicion ka 23 paraqitje te Luzerni në të gjitha garat dhe ka bërë një asistim. Ai është promovuar në ekipin e parë të Luzernit në vitin 2017. Me Kosovën ka dhjetë paraqitje.
Galatasaray aktualisht zë vendin e shtatë në kampionatin turk.