Fjalë Kyçe

Gjilani merr fitore të pastër ndaj Ulpianës

Gjilani merr fitore të pastër ndaj Ulpianës

Gjilani ka arritur të kthehet te fitoret, pasi ka mposhtur Ulpianën me rezultat të pastër 2-0.

Skuadra e Ismet Munishit në kuadër të xhiros së 23-të në BKT Superligë e zhvilloi ndeshjen në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, derisa ka triumfuar ndaj Ulpianës.

Pjesa e parë ishte më e barabartë me dy skuadrat që kishin disa raste shënimi, por pa parë tifozët e pranishëm gola.

Gjilani në pjesën e dytë ishte shumë më e mirë se skuadra mysafire dhe realizoi edhe dy gola.

Në minutën e 54-të Gerhard Progni realizoi një gol nga gjuajtja e lirë, kur harkimi i tij shkoi direkt në gol pa u prekur nga asnjë futbollistë në zonë për 1-0.

Ishte minuta e 75 e ndeshjes, kur Gjilani realizoi edhe golin e qetësisë, me Shend Kelmendin realizator për 2-0.

Deri në fund gola më nuk pati dhe Gjilani mori tri pikë të mëdha në luftën për mbijetesë.

Me këtë fitore Gjilani shkon në kuotën e 46 pikëve dhe zë vendin e dytë në Superligë, derisa Ulpiana mbetet e parafundit me 22 pikë.

Ndeshjen e ardhshme Gjilani e zhvillon të enjten ku përballet me Dritën, derisa Ulpiana luan ndeshjen direkte me Dukagjinin.