Fjalë Kyçe

Gjobiten shitësit ambulantë dhe sektori i ndërtimit në Prishtinë

Gjobiten shitësit ambulantë dhe sektori i ndërtimit në Prishtinë

Drejtoria e Inspektoratit ka ndërmarrë një varg aksionesh në Prishtinë, që për qëllim kanë përmirësimin e jetës së qytetarëve, ka njoftuar drejtori i këtij dikasteri, Florian Dushi.

Sipas tij, që nga marrja e mandatit në vazhdimësi kanë pranuar numër të madh të ankesave nga qytetarët, të cilat thotë se po i shqyrtojnë me seriozitet.

Dushi ka thënë se janë zhvilluar aksionet që ndërlidhen kryesisht me lirimin e hapësirave publike të cilat janë të uzurpuara, qoftë nga personat fizikë, qoftë nga bizneset e ndryshme.

Po ashtu janë inspektuar edhe ndërtimet pa leje, të cilat janë ndërprerë për periudhë të caktuara, ku edhe janë shqiptuar numër i madh i gjobave.

“Ka me qindra gjoba të cilat janë shqiptuar duke u nisur nga shitësit ambulantë që i kemi larguar përfundimisht nga sheshi duke synuar që sheshin t’ia kthejmë qytetarëve dhe vizitorëve të Prishtinës. Te sektori i ndërtimeve ka po ashtu me dhjetëra gjoba. Kemi punuar edhe sa i përket sektorit të ndërtimit dhe ka pasur mjaftë gjobitje, ndërprerje të punimeve, ka pasur edhe rrënime në disa raste. Ka palë që nuk e respektojnë vendimin e Inspektoratit kur nuk kanë leje dhe vazhdojnë të punojnë, ne vazhdojmë me procedurat tona”, ka thënë Dushi.

Dushi përmendi se kanë realizuar edhe pastrimin në parkun e Taukbahçes nga një numër i madh i mbeturinave dhe lodrave të shkatërruara, por edhe pastrimin e hapësirave brenda dhe në hyrjes të QKUK-së si dhe mbylljen e disa deponove inerte ilegale, raportoi të dielën EO.

“Komuna e Prishtinës ka pasur disa aksione. Ajo që mund të ju them është se mbi bazën e vlerësimeve tona dhe ankesave që kemi pranuar nga ana e qytetarëve duke u mbështetur në vizionin e kryetarit Rama kemi ndërmarrë një numër të aksioneve të cilat kanë pasur për qëllim edhe lirimin e hapësirave publike të uzurpuara, por në një far forme edhe largimin e atyre që ne kemi konsideruar që po e degradojnë ose po e dëmtojnë qytetin e Prishtinës”, ka thënë ai.