Gjykata Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Fitim Imerit, që dyshohet se me ndihmën e shokut të tij ka vënë në kurth dy klientë, të cilëve u aka grabitur 2 mijë e 500 euro, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Gjykatës bëjnë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake i ka caktuar Imerit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Kujtojmë se e gjithë ngjarja ka ndodhur në rrugën “Viciana” të Vushtrrisë, kur 31-vjeçari kishte kërkuar nga pasagjerët që të ndalet dhe gjoja për të marrë edhe një udhëtar tjetër. Ky udhëtar doli të jetë shoku i tij, i cili posa hyri në veturë u hodhi sprej fytyrës dy klientëve.
Ai bashkë me shokun e tij dyshohet se kishin planifikuar gjithë ngjarjen më parë, duke arritur kështu që dy pasagjerëve që deshën të shkojnë në Mitrovicë, t’ua grabisin 2 mijë e 500 euro.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.