Fjalë Kyçe

Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit, Smakajt, Kilajt dhe Fazliut

Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit, Smakajt, Kilajt dhe Fazliut

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut, të cilët akuzohen së bashku me ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçin, për akuzat vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Sipas gjyqtares së procedurës paraprake, Marjorie Masselot, të akuzuarit duhet të mbesin në paraburgim, me arsyetimin se vendimi është proporcional dhe i nevojshëm.

Masselot ka vlerësuar se për ish-presidentin Thaçi vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet, dhe ekziston rreziku që ai të arratiset dhe të pengojë procedurat.

Në dhjetor, ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit u ngrit aktakuzë e re për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Sipas aktakuzës, Thaçi “në periudhën 12 prill 2023 deri më 2 nëntor 2024, gjatë vizitave në paraburgim, u ka dhënë informacione konfidenciale për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit”.

“Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj, si dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte të Thaçit dhe të tjerëve”.

Në aktakuzë, të dyshuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin për krimet e pretenduara të luftës ndaj Thaçit dhe të tjerëve.