Fjalë Kyçe

Gjykata vendos ndaj 10 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 5”

Gjykata vendos ndaj 10 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 5”

10 nga 18 të akuzuarit e rastit “Subvencionet 5”, janë shpallur fajtor nga Gjykata. Burim Selmani, Kastriote Bajrami- Sejdiu, Adushe Ukshini, Valon Hoti, Granit Abdyli, Faruk Ymeri, Avdullah Tërstena, Blerton Ostërgllava, Avdyl Sejdiu dhe Muzafer Maliqi, janë gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës, Departamenti Special.

Ata akuzohen për dhënie e marrje ryshfeti, mashtrim me subvencione e ushtrim ndikimi, në rastin “Subvencionet 5”.

Gjyqtarja Violeta Namani, të akuzuarin Burim Selmani për veprën penale të mashtrimit me subvencione dhe për ushtrim të ndikimit, e ka dënuar me dënim unik 5 muaj dënim me burgim dhe 20 mijë euro dënim me gjobë.

Kastriote Bajrami- Sejdiu për dhënie ryshfeti është dënuar më 5 muaj dënim me burgim dhe 500 euro dënim me gjobë.

Adushe Ukshini dhe Valon Hoti Gjykata i ka gjetur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ukshini është dënuar 2 vite dënim me burgim dhe me 5 mijë euro dënim me gjobë dhe si dënim plotësues i është ndaluar ushtrimi i funksionit në administratë publike në periudhë kohore prej 2 vite. Kurse Hotit, për veprën e njëjtë i është shqiptuar dënim me burgim prej 9 muaj dhe 500 euro dënim me gjobë, si dhe ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

Vetëm i akuzuari Granit Abdyli, është dënuar për veprën penale të ushtrimit të ndikimit më 9 muaj dënim me burgim dhe 100 euro dënim me gjobë.

Kurse të pandehurit Faruk Ymeri, Avdullah Tërstena, Blerton Ostërgllava, Avdyl Sejdiu dhe Muzafer Maliqi, secili veç e veç për dhënie ryshfeti janë dënuar me nga 6 muaj dënim me burgim- me kusht dhe 1 mijë euro dënim me gjobë. Dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse të akuzuarit nuk kryejnë vepra të tjera penale.

Aktakuza ndaj të pandehurve ishte ngritur më 21.03.2024. Ndërsa 10 nga 18 të akuzuarit për këtë rast kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Shtetit.

Rasti i njohur për publikun si “Subvencionet” është i ndarë tashmë në gjashtë raste, të cilat janë duke u gjykuar në Departamentin Special të kësaj Gjykate dhe në Departamentin e krimeve të rënda.

Në të gjitha rastet numri i të akuzuarve shkon në mbi 10 perona të akuzuar për vepra të ndryshme që lidhin me përfitime të subvencioneve.

Prokuroria speciale kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj 15 personave, rast i titulluar si “Subvencionet 2”.

Në këtë rast për vepra të ngjashme penale, është duke u zhvilluar një proces gjyqësor ndaj disa personave dhe ky rast është etiketuar si “Subvencionet 3”.

Prokuroria ka bërë me dije se më 23.11.2033, ka ngritur aktakuzë edhe ndaj disa personave, rast i cili tashmë do të njihet si “Subvencionet 4”. Ndërsa më 21.03.2024 prokuroria ka njoftuar se tashmë do të ketë rast tjetër lidhur me veprime të njëjta që rasti do të titullohet “Subvencionet 5”. /Kallxo