Fjalë Kyçe

Gjykatat vazhdojnë punën edhe gjatë kohës së krizës

Gjykatat vazhdojnë punën edhe gjatë kohës së krizës

Ndërprerja pothuajse në tërësi e punës në sistemin e drejtësisë për shkak të virusit COVID-19 do të vazhdojë ta rëndojë mbingarkesën me lëndë në gjykata.

Gjatë krizës së virusit Gjykata e Apelit ka zgjidhur rreth 800 lëndë, mirëpo resurset e limituara krijojnë hapësirë që shumë lëndë të zvarriten edhe më tutje, transmeton KOHA.

Përkundër masave të marra për reduktimin e stafit dhe punës së gjykatave, kjo gjykatë që nga 16 marsi, ka pranuar 145 lëndë të reja. Në mesin e lëndëve të pranuara kishte ato me paraburgim, dhunë në familje dhe masa të përkohshme civile.

E në këtë kohë, gjyqtarët e kësaj gjykate kanë trajtuar edhe lëndë që nuk janë të natyrës urgjente. Mbingarkesa me mijëra lëndë të mbetura në lëmin civile ka bërë që të nisë trajtimi i këtyre lëndëve.

Në Gjykatën e Apelit të papërfunduara mbesin edhe rreth 11 mijë lëndë. Prej tyre, 9 mijë janë në Divizionin Civil të Departamentit të Përgjithshëm, shkaku i numrit të vogël të gjyqtarëve.