Fjalë Kyçe

Gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të Aeroportit, eksperti thotë se projekti i kontraktuar më 2011 nuk përfundoi deri më 2019

Gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të Aeroportit, eksperti thotë se projekti i kontraktuar më 2011 nuk përfundoi deri më 2019

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten, eksperti financiar Agim Sheqiri, duke vazhduar elaborimin e ekspertizës, tha se projekti i kontraktuar në vitin 2011, nuk përfundoi deri më 2019.

Në këtë rast, Bahri Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Driton Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke ia mundësuar OE ‘‘TCN International’’ Sh.P.K. nga Tirana që të fitojë kundërligjshëm tenderin dhe me këtë i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Eksperti Sheqiri tha se projekti i cili ishte kontraktuar në vitin 2011 nuk kishte përfunduar brenda afatit të paraparë ligjor, andaj për shkak të mospërfundimit të tij ka shkruar deri në shkëputjen e njëanshme të kontratës. Por, tha se projekti ka përfunduar në vitin 2019.

Sheqiri sqaroi se në ekspertizë përmendet se ka pasur punë të papërfunduara dhe se në vitin 2018 ishte hapur një thirrje e re për të njëjtin pozicion.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mehaj, avokatit Ilir Rashiti, i cili ka filluar ta marrë në pyetje ekspertin në seancën e 4 tetorit 2024, e pyeti atë nëse ka njohuri lidhur me ofertat që ka pasur në nënprojekt për këtë aktivitet të ri. Por, Sheqiri tha se nuk është lëshuar në ofertat e tjera.

Kurse, i pyetur se si ka arritur të bëjë dallimin dhe të kuptojë se çfarë është ofertuar në vitin 2011 dhe çfarë është ofertuar për punët e pakryera përderisa nuk është lëshuar në oferta, eksperti deklaroi se është e parëndësishme oferta për një pozicion i cili është paguar dhe kontraktuar.

“Sepse ka qenë pozicion i përfshirë në kontratën e 2011 dhe tani është ritenderuar në vitin 2018 i njëjti pozicion. Është e parëndësishme oferta për një pozicion që ke pagu dhe kontraktu, të cilin po e kontrakton përsëri si pozicion”, tha Sheqiri.

I pyetur se a kanë përfunduar këto punë të cilat janë kontraktuar për së dyti, eksperti tha se kontrata e dytë (e vitit 2019) nuk ka qenë objekt i ekspertizës që e ka kryer dhe se deri në vitin 2019 nuk ka përfunduar projekti.

Sheqiri theksoi se nuk e di nëse është e mundur që teknikisht dhe proceduralisht të realizohet dhe të ekzekutohet përsëri e njëjta punë.

Sipas ekspertit, në një deklaratë të dhënë në vitin 2019, të pandehurit e pohojnë se projekti nuk ka përfunduar deri në vitin 2019, gjë që thotë se edhe pse nuk e përdori këtë deklaratë në ekspertizë, e provon të njëjtën.

“Unë nuk e di epilogun përfundimtar të kësaj kontrate, vetëm sa për sqarimin tuaj, në një deklaratë të të pandehurve të vitit 2019, thuhet se nuk është përfunduar projekti dhe nuk janë lëshuar në funksion radarët Mode S, që lë të kuptohet se projekti nuk ka përfunduar, pa marrë parasysh faktet që i kam marrë për bazë në ekspertizë”, shtoi Sheqiri.

Ndërsa, i pyetur nëse i akuzuari Mehaj ka lëshuar raport përfundimtar tek kryeshefi ekzekutiv për situatën financiare për punët në terreni, eksperti tha se nuk ka përgjigje.

Eksperti Sheqiri deklarimin e tij e ka filluar në seancën 29 majit 2024, ku ndër të tjera kishte deklaruar se në rastin konkret si dëm i matshëm pa përfshirë pjesët tjera të dëmeve që mund të jenë shkaktuar e për të cilat nuk ka njohuri, është vlera 1 milion e 937 mijë e 230 euro.Ai u dëgjua edhe në seancën e 3 qershorit 2024, ku tha se kompania “TCN” u tërhoq nga kontrata për shkak të vonesave të pagesave.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 maj 2022 nga Prokuroria Speciale, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas aktit akuzues, Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Mehaj në cilësinë e Menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror (KDNM), kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që më 8 dhe 9 shtator, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K., me vlerë të përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.

Të njëjtit, me këto veprime, thuhet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik në lartësi prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.