Fjalë Kyçe

Gjykimi për vrasjen e djalit të dajës, prokurorja thotë se në veturën e të akuzuarve kishin gjetur një thikë

Gjykimi për vrasjen e djalit të dajës, prokurorja thotë se në veturën e të akuzuarve kishin gjetur një thikë

Të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, dega në Lipjan u bë administrimi i provave nga prokuroria si dhe dëgjimi i dëshmitareve në rastin, ku Baki e Bali Reçica, po akuzohen se kanë vrarë djalin e dajës së tyre, tani të ndjerin F.K.

Prokuroja e rastit Besa Limani, gjatë administrimit të provave, tha se në veturën me të cilën të akuzuarit kishin shkuar në emergjencë, ishte gjetur një thikë.

“Ne listën e dëshmive rezulton qe vetura “Tauran” pronë e familjes Reçica ka qenë në oborrin e QKUK-së dhe në këtë veturë është gjetur thika me gjatësi 20 cm, me dorëz të kuqe dhe me teh më gjatësi 9 cm”, ka treguar Limani gjatë paraqitjes së provave.

Në këtë rast ka dëshmuar gruaja e të akuzuarit Bali Reçica, Fidane Reçica e cila tha se pasi kishte përfunduar ngjarja e kishte parë burrin e saj të gjakosur në oborr dhe se me të ishte edhe Baki Reçica e dëshmitari okular Muhamet Reçica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo tha se menjëherë ishin drejtuar drejt emergjencës me veture personale, fillimisht në Lipjan e me pas në Prishtinë dhe se gjatë kësaj kohe nuk kishin biseduar me tani të akuzuarit, por të vetmen gjë që burri i saj, Bali Reçica i kishte thënë ishte se është sulmuar nga tani me i ndjeri F.K.

Dëshmitarja tha se lajmin për vdekjen e të ndjerit e kishte kuptuar në kohën sa po qëndronin në emergjencë në Prishtinë.

“Na vjen keq për atë që ka ndodhur, nuk kishim dashtë kjo të ndodhte”, tha ajo duke mos dhënë detaje tjera të rastit.

Në anën tjetër u dëgjua edhe djali i të akuzuarit Baki Reçicës, E.R, i cili në kohën kur kishte ndodhur ngjarja kishte qenë vetëm 14 vjet.

Ai tregoi se me të parë që babi i tij dhe axha i tij ishin nisur në drejtim të tani të ndjerit kishte shkuar edhe ai pas tyre. Ku tha se e kishte parë të ndjerin duke e kapur për fyti dhe goditur më ‘shipke të hekurit’’, të akuzuarin Bali Reçica.

Ai, foli edhe për babanë e tij, Baki Reçica, për të cilin tha se ai vetëm një herë e kishte shtyrë të ndjerin për ta larguar nga axha i tij.

Dëshmitari foli edhe për djalin e tani të ndjerit Alaudin Krasniqi, ku tha se i njëjti e kishte goditur babin e tij Baki Reçicën shuplakë, por që ky i fundit vetëm e kishte shtyrë.

Mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Tahir Rrecaj, e pyeti se nëse deklaratën e dhënë në polici e kishte dhënë nga ajo çfarë ka parë dhe dëgjuar vet apo dhe nga ato çfarë ka dëgjuar nga të tjerët.

Djali i të akuzuarit Baki Reçica tha se u përgjigjë vetëm nga ajo çfarë ka parë vet, por për disa deklarata që i kishte dhënë në polici, ai në seancë tha se nuk iu kujtohen.

Anëtarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj-Hyseni e pyeti dëshmitarin nëse e kishte parë se kush e kishte goditur të ndjerin F.K.

Dëshminë e ka vazhduar edhe dëshmitari okular Muhamet Reçica, ku u morë në pyetje nga trupi gjykues. Për të njëjtin në seancën e kaluar prokurorja Limani pas ballafaqimit të tij me dëshmitë e dhëna në polici e prokurori e kishte quajtur “jo kredibili” dhe se i njëjti nuk po e thotë të vërtetën.

Në këtë seancë prokuroja Limani paraqiti edhe provat materiale, ku ndër to ishte raportet e autopsisë, raportin e vendit të ngjarjes, sendet e sekuestruara, etj.

Ajo po ashtu propozoi për dëshmitar hartuesin e raportit të autopsisë edhe një dëshmitare tjetër nga Qendra për Punë Sociale për të parë nëse ka qenë aty kur është marrë në pyetje djali i të akuzuarit Baki Reçica, pasi i njëjti deklaroi se përfaqësuesi kishte ardhur pasi ai e ka dhënë dëshminë e tij.

Avokati i të akuzuarit Bali Reçica, Skender Musa, tha se ka vërejtje në provat e administruara por që për këtë do të flas në fjalën përfundimtare. Kurse, për dëshmitarët e propozuar tha se pajtohet të ftohet eksperti mjeko-ligjor por jo edhe dëshmitarja nga Qendra për punë sociale, pasi e njëjta është jo relevante.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Baki Reçica, avokati Fanol Krasniqi tha se pajtohet që të ftohen të dy dëshmitaret.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi pranoi që të ftohet eksperti mjeko-ligjor i cili e ka përpiluar autopsinë, por jo edhe dëshmitarja nga Qendra Për Punë Sociale pasi konsideroi se dëgjimi i saj nuk do te ndihmonte në zbardhjen e kësaj çështje dhe do bëhen shpenzime të panevojshme ekonomike.

Vazhdimi i këtij gjykimi do të behet me 20 dhjetor të viti 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 janar 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica më 7 shtator 2019, në rrugën “Lidhja Prizrenit”, në Lipjan, para shtëpisë së tani të ndjerit F.K dhe shtëpisë së të akuzuarve Reçica, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin F.K, të cilin e kanë pasur djalë të dajës.

Në aktakuzë thuhet se pasi kushëriri i tyre, dëshmitari Muhamet Reçica, derisa ishte duke punuar për të akuzuarit, kishte shkuar për të hedhur karrocën me mbeturina betoni afër shtëpisë së tani të ndjerit F.K, përkatësisht në pronën kontestuese, për të cilën për l0 vjet kishin mosmarrëveshje në mes të dy palëve, tani i ndjeri nuk e kishte lejuar që ta hedh bërllokun me arsyetimin se i pengonte para shtëpisë.

Sipas aktakuzës, pastaj dëshmitari Muhamet ishte kthyer dhe e kishte informuar të akuzuarin Baki, i cili e kishte marrë karrocën me mbeturina dhe sipas marrëveshjes në mes tyre dy të akuzuarit kishin shkuar në vendin e ngjarjes për të hedhur bërllogun, ndërsa pas tyre ishte nisur dëshmitari Muhamet Reçica dhe me të mbërritur, tani i ndjeri iu kishte thënë “kthehuni mbrapa se nuk keni me zbraz kolicë me mbeturina këtu”, ndërsa i akuzuari Baki me vendosmëri i kishte thënë “pse nuk bën, unë bash këtu kam me e zbraz”, dhe e ka lëshuar karrocën nga dora.

Siç thuhet në aktakuzë, tani i ndjeri F.K, kishte reaguar për t’i penguar, e pastaj të akuzuarit Reçica me dashje që ta privojnë nga jeta e kanë goditur fillimisht me kaçavidë dy herë në gjoks, ku tani i ndjeri F.K, në vetëmbrojte ka marrë një shufër metalike nga toka dhe me të e ka goditur të akuzuarin Bali, ndërsa i akuzuari Bali e ka goditur atë me thikë tek zemra, ndërkohë i akuzuari Baki e ka goditur me shufër pas kokës, ku pas lëndimeve të ndjerin e kishin dërguar në QKUK në Prishtinë, ku të njëjtën ditë ka ndërruar jetë.

Për këto veprime, prokuroria po i ngarkon të akuzuarit Reçica se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, pika 1.3 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal, ndërsa të akuzuarin Bali Reçica po e ngarkon edhe me armëmbajtje pa leje, për shkak të thikës që i akuzuari e kishte përdorur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.