Kompania Google pezulloi të premten aplikacionin Parler, i ngjashëm me rrjetin social Twitter, nga depozita e shkarkimeve të aplikacioneve, që njihet si “Play Store”.
Vendimi do të qëndrojë në fuqi derisa rrjeti social të zbusë përmbajtjen e tij. Nga ana tjetër kompania Apple i dha po këtij shërbimi 24 orë afat për të paraqitur një plan të detajuar mbi përmbatjen në platformën e tij sociale.
Parler është një rrjet social në të cilin shumë mbështetës të Presidentit Donald Trump kanë migruar, pasi janë ndaluar nga shërbime të ndryshme të medias sociale përfshirë Twitter-in, i cili të premten e bllokoi përgjithmonë llogarinë e zotit Trump.
Në një deklaratë, Google citonte postimet e vazhdueshme në aplikacionin Parler, të cilat siç tha, kërkojnë “të nxisin dhunë të vazhdueshme në SHBA”.
Google tha se “që ne të shpërndajmë një aplikacion përmes Google Play, kërkojmë që aplikacionet të zbusin fuqishëm përmbajtjen e tyre të ashpër. Nën dritën e këtij kërcënimi të vazhdueshëm dhe urgjent të sigurisë publike, po pezullojmë aplikacionin nga Play Store derisa këto çështje të adresohen”.
Në një letër të kompanisë Apple të siguruar nga Reuters, citoheshin raste të publikuara në Parler ku përdoruesit bënin plane për të zbritur në Uashington me armë, pasi një turmë sulmoi Kapitolin ditën e mërkurë.
Në letër thuhej gjithashtu se: “përmbajtja që kërcënon mirëqenien e të tjerëve ose që synon të nxisë dhunë apo akte të tjera të paligjshme nuk ka qenë kurrë e pranueshme në App Store (një shërbim që ofron kompania Apple për të shkarkuar aplikacione të ndryshme )”.
Apple i dha Parler-it 24 orë kohë për të “hequr të gjithë përmbajtjen e kundërshtueshme nga aplikacioni… si dhe çdo përmbajtje që synonte dëmtim të njerëzve ose sulmeve ndaj objekteve qeveritare, tani ose në të ardhmen”. Kompania kërkoi gjithashtu që Parler-i të paraqesë një plan me shkrim “për të zbutur dhe filtruar përmbajtjen” në këtë aplikacion.
Apple nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje./VOA