Fjalë Kyçe

Graçanicë: Protestohet kundër Vuçiqit

Graçanicë: Protestohet kundër Vuçiqit

Protesta #1nga5milionë, e cila tash e disa muaj po organizohet në qytete të ndryshme në Serbi, javën e kaluar u organizua edhe në pjesën veriore të Mitrovicës.

E këtë mbrëmje, prapa transparentit “1 nga 5 milionët” po protestohet në Graçanicë.

Kërkesat e pjesëmarrësve në protestën në veri të Mitrovicës kishin të bënin me gjetjen e vrasësve të Oliver Ivanoviqit dhe me atë se të gjithë qytetarët në Serbi kanë të drejtë në mendim të lirë, raporton portali serb i Kosovës, “Kossev”.

Edhe në rrugët e Graçanicës sonte po dërgohen kërkesa të ngjashme, por edhe po parashtrohen disa pyetje për zyrtarët serbë – “çka do të thotë demarkacioni”, transmeton Koha.net.

Tubimi ka nisur nga stacioni policor i kësaj komune, që gjendet në qendër të Graçanicës. Në mesin e protestuesve është edhe organizatori Branislav Markoviq, sikurse edhe organizatorët e protestës së javës së kaluar në veri të Mitrovicës – Marko Jakshiq dhe Dejan Nedelkoviq.

Veç qytetarëve të Graçanicës, protestës i janë bashkëngjitur edhe disa banorë të Gorazhdevcit, sikurse edhe politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviq.

Tash e disa muaj, protesta e rreth 30 partive opozitare serbe e nisur në Beograd, po vazhdon ende. Protestuesit po mblidhen kundër presidentit të tyre Aleksandar Vuçiq dhe Partisë së tij Progresive Serbe (SNS), me kërkesa përfshirë lirinë e mediave, dhënien fund të sulmeve ndaj gazetarëve dhe figurave opozitare, dhe kundër një traktati sekret me Kosovën.