Për zgjedhjet e 12 tetorit, partitë politike shqiptare kanë kandiduar gjithsej 13 gra për kryetare komunash. Por nëse shikojmë më afër, shihet qartë se shumica e tyre janë vendosur në komuna ku partitë e tyre nuk kanë elektoratin më të madh.
– Në Drenas, bastion i PDK-së, garon kandidatja e VV-së, Egzona Tërdevci.
– Në Kamenicë, ku pushteti ka lëvizur mes disa partive, PDK garon me Jona Arifin.
– Në Pejë, që prej tre mandatesh udhëhiqet nga LDK, PDK sjell Arta Nallbanin.
– Në Mitrovicën e Veriut e Zubin Potok, të dominuara nga Lista Serbe, kandidojnë Flutura Hamza Azemi (PDK) dhe Ariana Hasani (LDK).
– Në Kaçanik, bastion i PDK-së, AAK vendos Hafize Sallahin.
Në Fushë Kosovë, që gjithmonë është udhëhequr nga LDK, AAK sjell Vildane Latifin.
– Në Ferizaj, qytet i PDK-së, AAK garon me Xhemile Murati Shabanin.
– Në Prizren, ku pushteti ka ndërruar disa herë, Nisma sjell Albulena Balaj Halimajn.
– Në Vushtrri, po ashtu me dominim të PDK-së e LDK-së, garon Xhevahire Izmaku (Nisma).
– Në Prishtinë, garojnë dy kandidate: Besa Shahini (PSD) dhe Nedime Belegu (Epoka e Hyjneshës).
– Ndërsa në Deçan, bastion i AAK-së, PSD sjell Natyra Kuçin.
Por a janë këto kandidatura thjesht për sy e faqe?
Pse partitë nuk guxuan t’i vendosin gratë në qendrat ku kanë realisht fuqi dhe elektorat të madh?
Pse gratë shpesh pranojnë të kandidojnë aty ku shanset për të fituar janë minimale, vetëm për të mbuluar kërkesat formale të partive?
E vërteta është se roli i grave brenda partive mbetet ende i margjinalizuar. Ato shpesh digjen në garat ku partitë kanë ndikim minimal, në vend që të marrin përgjegjësinë dhe besimin në komuna ku vendoset realisht pushteti lokal.
Në fund, pyetja është:
A po i përdorin partitë gratë vetëm për imazh, apo po krijojnë realisht hapësira për barazi dhe udhëheqje?