Gjesti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm Behgjet Pacolli në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, duke vendosur dorën mbi shpatullat e zëvendëses së tij Rejhan Vuniqi e kishte vë në siklet atë. Për këtë madje i ishte tërhequr vërejtja edhe nga një grua tjetër, drejtuesja e Komisionit, zonja Vjosa Osmani. Pacolli po ju shpjegonte në Komision sesi Serbia kishte përdorë 10 vajza të reja për të lobuar në Interpol kundër Kosovës. Por, ky gjest i Pacollit po shihet si seksist dhe ofendues ndaj grave. Ministri i jashtëm Pacolli ka thënë se vajzat serbe u janë afruar përfaqësuesve të shteteve të cilët kanë qenë në mëdyshje, kurse ka përdorë shprehje raciste si ‘zezak’. Për këtë ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Sjellja e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm Behgjet Pacolli kundrejt politikanes kosovare ishte sjellje prej patroni, ku më tepër se kolegë bashkëpunëtorët e tij i sheh si vartës, si dikush që duhet t’ia bartin çantën. Kjo skenë lë shije të keqe, derisa në shtetet me demokraci të vërtetë, e ku ka avokim të ashpër të të drejtave gjinore, kjo do të përbënte një skandal. Por kjo nuk ndodh edhe te ne. Përveç ndonjë storie të rrallë televizive që e fokuson gjestin seksist, shumica e televizioneve ndalen vetëm në argumentet politike të Pacollit, duke anashkaluar në tërësi incidentin. Edhe shoqëria civile e cila shpesh di të skandalizohet për raste të ndryshme, nuk tregohet kaq e zhurmshme kur në qendër të skandaleve janë politikanë me peshë. Kështu ndodhi edhe me incidentin kur kryeministri Ramush Haradinaj në rolin e një bodigardi i ndali fjalën një zonje në një tubim për Lidhjen e Prizrenit në fillim të këtij viti.
Rasti i fundit siç njihet në rrethet e ngushta i Bacit (Behgjet Pacolli) tregon për trajtimin që u bëhet grave në politikë. Ato më tepër shihen si kuota dhe jo kuadro që mund t’i kontribuojnë politikës. Gjesti publik i Bacit (po i referohem tani vetëm me këtë emër z.Behgjet Pacollit) shpërfaq vetëm një pjesë të atij realiteti të egër që ndodh me trajtimin e gjinisë së kundërt jo vetëm në skenën tonë politike, por në përgjithësi në jeton tonë shoqërore në Kosovë. Derisa në Gjermani, një grua si Angel Merkel ia dorëzon stafetën e partisë një gruaje tjetër, në Kosovë partitë kanë mbetur kryekëput patriarkale. Liderë që mblidhen nëpër oda e shkrepin armë, që fyejnë gratë nëpër forume interneti me një fjalor si të çajtoreve të zymta të qytezave po ashtu të zymta kosovare, që femrat i shohin si ‘copa’ si objekte, e jo si subjekt emancipimi, mund ta merrni me mend trajtimin që u bëhet grave brenda mureve të selive të partive.
Bacat, shefat e balat e politikës, e mediave, e biznesit në Kosovë i trajtojnë gratë si kurtizane. Në një emision për kulturën japoneze tregohet se geishat kanë qenë vajzat që kanë shërbyer për argëtim, por ato kanë pasur edhe kufijtë deri ku mund të tolerojnë. Politikanet në Kosovë, por ndonjëherë edhe gazetaret apo menaxheret gra kanë më pak liri veprimi. Ato duhet të durojnë dorën e Bacit, Shefit e të Balit në supet e tyre, sepse kështu e do zakoni, sepse shoqëria kosovare qëndron ende e zhytur thellë në patriarkalizëm.
Tessy Antony, Princesha e Luksemburgut, në një intervistë për Daily Mail, ka rrëfyer sesi ia ka thyer hundën një ushtari paqeruajtës që tentoi ta dhunonte seksualisht gjatë shërbimit në Kosovë. E solla këtë shembull për të treguar se edhe grave të Kosovës nuk iu mungon guximi, edhe ato sigurisht ua kanë thyer turinjtë shumë hamshorëve të politikës e biznesit. Por, këto gra nuk janë shembull për mediat në Kosovë, po u jepet hapësirë atyre që nënshtrohen sepse edhe vetë media i është nënshtruar pushtetit në Kosovë. Pra nënshtrimi nuk është vetëm fizik, nënshtrimi nuk është vetëm nga një gjini, ky nënshtrim është i shumanshëm. Këtë nënshtrim e shohim edhe te të rinjtë të cilët pranojnë po ashtu të jenë vetëm numër në forume partiake dhe jo të jenë zë i gjeneratës së tyre dhe gjeneratave që vijnë pas tyre.
Gratë duhet të dalin nga nënsqetulla e Bacave, e Shefave, e Balave të politikës, të medias e të biznesit, dhe të bëhen zëri i tyre. Ato duhet të bëhen zëri ynë, zëri i shoqërisë së nëpërkëmbur nga një kastë njerëzish që ka uzurpuar gjithçka, që sillen si patroni me skllavin. Kudo në botë ka pasur nisma ku gratë kanë denoncuar ngacmimet në vendet e tyre, duke vënë në thumb meshkujt në fusha të ndryshme. Diçka e tillë sikur mungon te ne. Shoqëria jonë sikur heziton të dëshmojë dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm kur janë në pyetje çështjet gjinore. Ne njëlloj heshtim për korrupsionin, për krimin, për të gjitha.
Ambasadori britanik në Kosovë ditë më parë tha se do të ishte i lumtur të bënte për vendin e tij sa kanë bërë Majlinda Kelmendi dhe Rita Ora. Pra një i huaj i ka model dy shqiptare të zonja në fushat e tyre, njëra në sport e tjetra në muzikë e film, kurse të rinjtë tanë fatkeqësisht i kanë model politikanët e korruptuar, njerëzit e televizioneve që janë bërë mashë e politikës, njerëzit e biznesit që janë pasuruar në mënyrë të dyshimtë. Pra jo vetëm gratë por të gjithë ne si shoqëri duhet të dalim nga nënsqetulla e Balave, e shefave dhe e Bacave.