Pas vizitës në Serbi, ish-i dërguari i presidentit Donald Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, zgjodhi të vizitojë Shqipërinë.
Ndalesën e parë diplomati amerikan e bëri në Golem, ku nuk i kurseu fjalët që shprehnin admirimin natyrën e bukur shqiptare.
“Ne jemi duke parë për mundësira që të investojmë përmes investimeve të huaja në Ballkan, por më specifikisht në Shqipëri dhe bregdeti i Shqipërisë është i mrekullueshëm, është vendi ideal. Deti më pëlqen më tepër, është i përkryer, unë vetë vij nga Los Angelos, pra jetoj pranë detit, por këtu deti është ekstremisht i bukur. I dua shqiptarët, dua kuzhinën shqiptare, është e mrekullueshme. Sapo erdhëm këtu dhe do ta shijojmë këtë deri javën tjetër”, tha Grenell.
Në një intervistë ekskluzive për News24 Richard Grenell tregoi arsyen që e riktheu në Ballkan pasi la detyrën e lartë në administratën Trump. Grenell tha se po promovon investimet e huaja dhe bashkëpunimin ekonomik ne rajon, si e vetmja mënyrë për të garantuar mirëqenie për të gjithë qytetarët, por veçanërisht për të siguruar më shumë mundësi punësimi për brezin e ri.