Richard Grenell, emisari për misione të veçanta i presidentit amerikan Donald Trump, ka komentuar protestën e mbajtur të enjten kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale, duke thënë se ishte inkurajuese për të.
Grenell në intervistën për Klan Kosovën tha se Gjykata Speciale është një njollë e madhe për evropianët duke lejuar që ish-krerët e UÇK-së të mbahen për më shumë se pesë vjet në paraburgim.
“Ky nuk është një sistem i drejtë i drejtësisë. Kur mbani dikë për kohë kaq të gjatë në burg me akuza të çmendura politike, unë mendoj se kjo është më shumë koment për ndjekjet politike penale që evropianët po i bëjnë. Kjo është e tmerrshme dhe flet shumë më shumë për Brukselin, shumë më shumë për Hagën, shumë më shumë për natyrën politike të Evropës. Shikojeni, një nga gjërat që duhet ta bëjë Evropa është që duhet të përqendrohet në ekonomi dhe më pak në politikë”, tha Grenell.
Grenell konsideron se ish-presidenti Thaçi, është peng i Gjykatës Speciale.
“Po, me siguri konsideroj që çfarë i kanë bërë në pesë vjetët e fundit është të qenit peng. Është një situatë e tmerrshme dhe duhet ta dëgjoni Edi Ramën. Mendoj se duhet t’i dëgjoni njerëzit gjithandej Evropës të cilët kanë filluar të thonë se kjo është e papranueshme. Nëse doni një sistem të drejtë të drejtësisë, kjo është tmerrësisht e gabuar”, tha Grenell.