Greva ka filluar nga 14 janari 2019.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka marrë vendim që të futen në greva pas mosrealizimit të kërkesave të tyre për rritje të pagave për mësimdhënësit.
Përveç mësimdhënësve para-universitar të cilët janë futur në grevë, atyre i është bashkangjitur edhe stafi i Universitetit të Prishtinës.
Rrahman Jasharaj, kryetari i SBASHK-ut ka thënë se greva mund të zgjasë edhe me muaj nëse kërkesat e tyre për rritje të pagave për 30 për qind nuk plotësohen.
Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar ekspertin e arsimit, njëherit edhe drejtor i arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj.
Ai për ka thënë se kërkesat e SBASHK-ut janë të ligjshme, mirëpo nuk e mbështesin bojkotin e mësimit si formë për arritjen e qëllimit.
“Ne mbështesim kërkesat e SBASHK-ut, por jo edhe formën për realizimin e tyre me bojkot”, është shprehur Salihaj.
Ai gjithashtu ka shprehur shqetësimin për humbjet që do të kenë nxënësit.
“Bojkoti nuk na sjell asgjë, aq më tepër kur ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër nëse pagat nuk rriten. A duhet t’i lëmë fëmijët pa shkollë? Kërkesat janë të ligjshme, por nuk e mbështesim bojkotin”, ka përfunduar Salihaj.
Ndërsa në anën tjetër, kryetari i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, Rron Gjinovci është shprehur se ORCA është kundër që UP-ja t’i bashkohet grevës.
“Unë nuk e kam ende të qartë dhe besoj se as publiku nuk e ka ende të qartë nëse edhe UP-ja është duke kërkuar rritje pagash, nëse ky është rasti, ORCA është absolutisht kundër, pasi mendon se UP-ja është një prej keqpërdoruesve më të mëdhenj të fondeve publike në Kosovë”, tha Gjinovci.
Ndërkohë që mes MASHT-it dhe SBASHK-ut nuk ka asnjë marrëveshje edhe pas tentimeve të shumta, kështu që sipas SBASHK-ut, greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të mësimdhënësve.