Fjalë Kyçe

Gruaja boshnjake e fiton betejën ligjore, serbët duhet të shembin kishën në tokën e saj

Gruaja boshnjake e fiton betejën ligjore, serbët duhet të shembin kishën në tokën e saj

Autoritetet boshnjake kanë shembur një kishë ortodokse serbe e cila ishte ndërtuar ilegalisht në tokën e një gruaje boshnjake, pas një beteje të vështirë 20-vjeçare, rast i cili arriti deri në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Punëtorët dhe makineritë e ndërtimit arritën në oborrin e Fata Orloviqit në fshatin Konjeviq, të shtunën. Ata shembën kishën me muret e bardha dhe kambanën mbi të.

Veprimi vjen pasi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi në 2019-n se autoritetet duhet ta heqin kishën. Vendimi thoshte edhe se Bosnja duhet t’ia paguante dëmet familjes së Orloviqit, një total prej 31,000 eurosh, raporton AP.

Kisha ishte ndërtuar pak pasi Orloviq dhe familja e saj u dëbuan nga fshati, 20 kilometra nga Srebrenica gjatë luftës së Bosnjës më 1992-1995. Familja është boshnjake, që shumica janë myslimanë dhe fshati ishte marrë nga serbët e Bosnjës të cilët janë të krishterë ortodoksë.

Bashkëshorti i Orloviqit ishte në mesin e 8,000 burrave dhe djemve boshnjakë të vrarë nga forcat serbe në Srebrenicë më 1995, masakra më e rëndë gjatë konfliktit. Masakra e Srebrenicës është njohur ndërkombëtarisht si gjenocidi i vetëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pas kthimit në fshat, kërkesat e Orloviqit që kisha të shembej u injoruan. Në vitin 2000 ajo nisi procedurat ligjore për të detyruar autoritetet e Republikës Serbe ta bëjë një gjë të tillë.