Fjalë Kyçe

Guardiola: Gara e titullit në Angli, si betejat mes Barçës dhe Realit

Guardiola: Gara e titullit në Angli, si betejat mes Barçës dhe Realit

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, beson se gara e Premier League është e ngjashme me atë që përjetoi kur luftoi kundër Real Madridit me Barcelonën e tij, në La Liga.

Guardiola fitoi tre tituj kampioni në Spanjë, në katër sezone si trajner i Barçës, duke e mbajtur larg kurorës Real Madridin në çdo rast, para se klubi kryeqytetas të triumfonte në sezonin 2011-2012.

Trajneri katalanas sheh ngjashmëri në Angli, ku rivaliteti për titull është mes disa skuadrave, ku përfshin “qytetarët” e tij, Liverpool, Tottenham, Chelsea dhe Arsenal. Guardiola tha se presioni dhe nevoja për të fituar pothuajse çdo lojë në Angli është i krahasueshëm me përvojën e tij në stolin e Barçës.

“Është mjaft e ngjashme situata, ekziston e njëjta ndjenjë. Si te Barcelona, edhe këtu duhet të fitosh çdo ndeshje, të jesh përpara të tjerëve, të ruash vazhdimësinë pozitive. Lojtarët e dinë këtë, – tha ai. – Jo vetëm Liverpool, por edhe Chelsea, Tottenham, Arsenal, Manchester United mund të bashkohen me ne.

E dinim që nga fillimi këtë, të gjithë e kishin këtë ndjenjë… Ne kishim bindjen se jo vetëm Manchester City, por edhe të tjerë mund të luftojnë për titullin. Ndjenja është mjaft e ngjashme me periudhën kur drejtoja Barcelonën, sepse atje, edhe Real Madridi kërkonte shumë, gjithmonë. Ne duhej të fitonim dhe e dinim. Mund të humbim një ndeshje kundër Real Madridit, por duhet të fitonim kundër të tjerëve. Përndryshe, nuk mund ta fitonim titullin”.

Manchester City pret Evertonin të shtunën dhe mund të vendosë presionin mbi Liverpool, i cili do të përballet me Manchester United në “Anfield”, një ditë më vonë, transmeton telesporti.

Guardiola tha se ekipi i tij kishte nevojë të përfitonte çdo mundësi, me Liverpool që synon të fitojë titullin e parë të Premier League, që nga viti 1990.