Fjalë Kyçe

“Guxo” regjistrohet si parti politike, Gërvalla prezanton platformën

“Guxo” regjistrohet si parti politike, Gërvalla prezanton platformën

Ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, ka mbajtur konferencë për media ku ka njoftuar se partia “Guxo” tashmë është regjistruar në Komisionin Qendror Zgjedhor, shkruan Reporteri.net.

Gërvalla tha se Lista Guxo është parti e qendrës së djathtë, në të cilën mirëpritet kontributi i të gjithëve.

“Guxo është një formacion i ri politik i cili fillet e tij i ka në kokë të trazuara dhe ballafaqime me sfida të mëdha, por me një sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e para një viti”, tha ajo.

Ajo e prezantoi në vija të trasha edhe platformën e kësaj partie, duke e nisur nga arsimi. Gërvalla tha se vendit i duhet cilësi dhe ekselencë në sistemin arsimor.

Gërvalla foli edhe për modernizimin e sistemit shëndetësor që “askush të mos ketë nevojë të udhëtojë për shërim”.

Gërvalla, ka thënë se partia ka 5 deputetë, gjithashtu ka konfirmuar se do të ketë bashkëpunim të ngushtë me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Me LDK-në ka shumë dallim. Ne jemi shumë më transparent, programi ynë është shumë më demokratik sesa i LDK-së. Nuk shoh bashkëpunim me LDK-në. Jemi në një partneritet me VV-në”, tha Gërvalla.