Fjalë Kyçe

Hadërgjonaj aftësohet si mbrojtës në të dy krahët

Hadërgjonaj aftësohet si mbrojtës në të dy krahët

Reprezentuesi i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, po stërvitet individualisht me trajnerin e Huddersfieldit, Danny Cowely, për të qenë sa më mirë i përgatitur për të luajtur në të dy krahët e mbrojtjes.

Përderisa te Huddersfieldi, Hadërgjonaj po aktivizohet në krahun e djathtë, te Kosova në ndeshjet e fundit, ai është aktivizuar në krahun e majtë. Sipas trajnerit të Huddersfieldit, Cowely, kjo lëvizje krahu ka bërë që Hadërgjonaj të lërë hapësira në mbrojtje kur merr të niset në sulm.

Nëpërmjet këtyre stërvitjeve individuale, Hadërgjonaj do të jetë më i vëmendshëm në mbrojtje kur nis ndonjë aksion në krahun në të cilin aktivizohet, transmeton Koha Ditore.

“Mendoj se herë pas here, ai ekspozohet shumë, lë hapësirë të madhe prapa në mbrojtje, pasi po i bie nganjëherë që të ndërrojë pozitat. Një gjë e tillë është e vështirë për çdo lojtar, por ne po punojmë që ta përmirësojmë edhe këtë”, është shprehur Cowely. “Kemi kaluar kohë në dhomën e xhirime duke shikuar video të ndryshme, si dhe kemi punuar individualisht më të. Kemi punuar edhe në fushë, në mënyrë që të përmirësohet sa më shpejt. Ai është një lojtar i mirë dhe mendoj se po bëjmë një punë të mrekullueshme që do të reflektohet për të ardhmen”.

Hadërgjonaj këtë edicion në Championship ka regjistruar shtatë paraqitje dhe ka bërë një asistim. Ai javë më parë, në dy ndeshjet eliminatore të Përfaqësueses së Kosovës për “Euro 2020” kundër Çekisë dhe Anglisë, është aktivizuar në krahun e majtë të mbrojtjes nga Bernard Challandes. Hadërgjonaj pati thënë se nuk e ka problem të luajë edhe në krahun e majtë, ndonëse preferon të djathtin.

Në disa raste edhe te Huddersfieldi është aktivizuar në të majtë.

“Personalisht mendoj se me këto stërvitje do ta ndihmojë shumë Florentin, pasi kjo është edhe puna ime”, u shpreh Cowely.

Hadërgjonaj ka tri paraqitje me Kosovën, kurse në vitin 2017 u pati transferuar te Huddersfieldi nga Ingolstadti. Karrierë ka bërë edhe te Young Boysi, kurse me Huddersfieldin ka kontratë deri në vitin 2021 me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.