Fjalë Kyçe

Hadërgjonaj flet për herë të parë me fanelën e “Dardanëve”

Hadërgjonaj flet për herë të parë me fanelën e “Dardanëve”

Florent Hadërgjonaj po e pret me padurim stërvitjen e parë Përfaqësuesen e Kosovës. Ai është prej futbollistëve të parë që ka mbërritur në Kosovë për të nisur përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2020 kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Florenti, i cili deri tash kishte përfaqësuar Zvicrën në ekipet e grupmoshave por edhe Kombëtaren A në një ndeshje miqësore, javë më parë vendosi t’i bashkohej familjes së madhe të Dardanëve.

Ai për sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës u shpreh i lumtur me zgjedhjen e bërë, derisa deklaroi se i ka ndjekur “Dardanët” edhe sa ishte pjesë e Zvicrës.

“Gjithmonë e kam vizituar Kosovën sepse është vendlindja e prindërve të mi dhe ende i kam disa familjarë këtu. Për mua Kosova gjithmonë ka qenë e rëndësishme. Prindërit shpesh na sillnin këtu në mënyrë që mos ta harrojmë gjuhën, sepse kur jeton në Zvicër dhe shkollohesh atje nuk është aq lehtë të mos e harrosh gjuhën. Për mua Kosova është gjithçka. Këtu ndihem më i lirë dhe më i lehtësuar sepse të gjithë flasin shqip. Edhe në ekipin kombëtar do t’i kem të gjithë bashkëlojtarët që flasin shqip. Kur nuk ke nevojë të flasësh në gjuhë tjetër kjo pa dyshim të ndihmon dhe është shumë motivuese. Fanella e Kosovës për mua është diçka shumë e veçantë, prandaj me padurim pres ta luaj ndeshjen e parë, e cila do të jetë shumë emocionuese si për mua ashtu edhe për familjen time”, nënvizoi Hadërgjonaj.

“I kam shikuar pothuajse të gjitha ndeshjet e Kosovës si në kualifikime ashtu edhe në Ligën e Kombeve nëpërmjet TV-së në Angli dhe kam qenë i mahnitur me atë çfarë ka treguar ekipi. Loja e Kombëtares por edhe mbështetja që i kanë dhënë tifozët ka qenë diçka shumë e veçantë. Çunat e bënin lojën shumë të mirë. Ka lojtarë shumë të talentuar dhe tani jam edhe unë pjesë e grupit dhe qëllimi im është ta ndihmoj ekipin të ecë përpara. Kryesorja është që hap pas hapi të bëhemi edhe më të fortë. E di që ka ende punë sepse jemi lojtarë të rinj dhe kemi ende gjëra për të mësuar, por besoj se mund të arrijmë diçka shumë të madhe”, shprehet tutje Hadërgjonaj.

Ai në fund falenderoi edhe tifozët “Dardanët” për mikëpritjen e bërë pranë Federatë së Futbollit të Kosovës.