Profesori Selam Hajrizi nga Franca, Selam Hajrizi, ka folur për propozimin e presidentit Emmanuel Macron për krijimin e një organizate të re politike dhe evropiane për të bashkuar vendet që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut.
“Deklarata e presidentit Macron ishte dje, derisa shtypi francez sot pak a shumë i komentoi. Nuk janë edhe aq madhështore në opinionin publik të Francës. Natyrisht që presidenti Macron pas mandatit të dytë është tejet i fokusuar te lufta në Ukrainë. [Emmanuel] Macron është më shumë i shqetësuar se çka po ndodh në Ukrainë sesa në politikat e Ballkanit. Kur kishte marrë mandatin për presidencën e Bashkimit Evropian shumë herë e ka theksuar, dhe mua më ka ndodhur që të flasë me këshilltarët e tij të cilët më kanë thënë që presidenti Macron ka me të vërtetë prioritare dhe kryesore që të kujdeset mjaft mirë për Ballkanin”.
Hajrizi, në “Info Magazine” në Klan Kosova, beson që presidenti francez është i gatshëm që të gjejë një zgjidhje rreth çështjes së liberalizimit të vizave për kosovarët, dhe anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
Megjithatë, ai citon një këshilltar të presidentit Emmanuel Macron që kishte thënë se do të jetë e vështirë të përmbushen krejt këto objektiva në gjashtë muajt kur Franca e ka presidencën e BE-së.
“Mund të kemi shumë opsione, por varet edhe prej luftës në Ukrainë. Një këshilltar i presidentit [Emmanuel Macron] më thoshte se ai nuk do të mund t’i bëjë të gjitha këto në vetëm gjashtë muaj presidencë të BE-së. Nuk do të jetë e mundur, sepse Franca do ta ketë vetëm gjashtë muaj presidencën e BE-së dhe së shpejti do të përfundojë”.