Fjalë Kyçe

Hamiti: Një shofer s’mund të vozis më shumë se nëntë orë brenda një dite

Hamiti: Një shofer s’mund të vozis më shumë se nëntë orë brenda një dite

Lavdim Hamiti, i cili është instruktor i autobusëve ka folur rreth shkaqeve që kanë mundur të çojnë deri në aksidentin tragjik ku humbën jetën së paku 46 qytetarë nga Maqedonia e Veriut.

Hamiti tha se pagjumësia mund të jetë njëri ndër shkaktarët, dhe sipas tij, shoferi duhet gjithmonë të jetë i përgatitur fizikisht dhe psiqikisht gjatë vozitjes, teksa shtoi se një shofer mund të vozis vetëm nëntë orë brenda një dite.

“Shoferi duhet gjithmonë të jetë i përgatitur fizikisht dhe psiqikisht dhe duhet të jetë i pushuar sepse gjatë vozitjes së autobusit nuk mund të vozit më shumë se nëntë orë brenda 24 orëve, kjo mund të bëhet në dy pjesë nga 4 orë e gjysmë por jo më tepër”, është shprehur Hamiti në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se sa i përket aksidentit të sotëm që ndodhi në Bullgari dhe djegies së autobusit, Hamiti tha se autobusi mund të ketë pasur probleme elektronike.

“Sa i përket aksidentit, autobusi mund të ketë pasur edhe probleme elektronike. Gomat së pari e kanë fillimisht shikimin fizik dhe çdo gomë nëse është e harxhuar se sa 4 mm duhet të ndërrohet”.

“Nëse goma ka qenë e shpenzuar në këtë rast, të paktën do duhej të kishte vija të frenimit. Në këtë rast, nafta nuk ndizet lehtë por duhet ekspertiza për vendimin, por mund të jetë edhe sistemi elektronik ndonjë defekt”, është shprehur Hamiti.

Ndërsa, sa i përket obligimit të shoferëve kur ata marrin përsipër rrugë të gjata, ai tha se çdo shofer është i obliguar që në autobus t’i ketë çekanët që në raste të tilla të thyhen xhamat e autobusit në mënyrë që udhëtarët të mund të dalin jashtë.

“Çdo autobus është i obliguar t’i kenë çekanët dhe në këto raste të thyhet xhami dhe të dalin jashtë autobusit”, ka thënë Hamiti.