Fjalë Kyçe

Hamza elaboron pakon fiskale të PDK-së – seanca e jashtëzakonshme është thirrur për 14 prill

Hamza elaboron pakon fiskale të PDK-së – seanca e jashtëzakonshme është thirrur për 14 prill

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, përmes një konference për media, ka sqaruar në detaje pakon e propozuar nga partia e tij për të dalë nga situata me koronavirusin.

Hamza tha se pakoja fiskale e propozuar nga PDK-ja kap vlerën e 320 milionë eurove, në raport me atë të qeverisë së Kosovës që është miratuar, e që kap vlerën e 179 milionë eurove.

Në këtë konferencë, Hamza e ka elaboruar pakon e propozuar nga partia e tij, e cila pritet të diskutohet më 14 prill në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

“PDK e ka dorëzuar kërkesën për thirrje të seancës së jashtëzakonshme për 14 prill. Kemi qenë të gatshëm që ta mbajmë edhe më herët, por për shkak të festave, e kemi shtyrë për këtë datë. Pakoja e masave ka të bëjë me aspektin social dhe atë ekonomik”, ka thënë shefi i GP të PDK-së, raporton KOHA.

Ai tha se kërkesës për këtë seancë të jashtëzakonshme, përpos deputetëve të PDK-së, i janë bashkuar edhe ata të AAK-së, të Nismës, të 6+, dhe deputetë tjerë të pavarur.

Sipas tij, qëllimi i kësaj pakoje është që të krijohet një konsensus edhe më i gjerë.

“Nëse ne sot nuk veprojmë, edhe ashtu jemi vonë, dhe efektet e ndikimi do të jetë aq i madh sa që më vonë do të japim edhe më shumë para të taksapaguesve, mirëpo efektet s’kanë me qenë të njëjta. Jemi shumë të hapur për bashkëpunim, për pranimin e propozimeve edhe nga partitë tjera politike në Kuvend, siç presim kontribut nga LDK dhe LVV. Qëllimi ynë është që në këtë situatë të komplikuar, çështjen të mos e bëjmë edhe më komnplekse”, u shpreh Hamza.

Ai tha se masat e propozuara nga Qeveria nuk janë të mjaftueshme dhe shtoi se Qeveria është vonuar me këtë pako.

“Është vërejtur një mungesë edhe e aspektit profesional edhe e përvojës institucionale. Pjesa dërmuese e masave të ndërmarra nga Qeveria nuk janë të reflektuara në buxhet, dhe, bazuar edhe në Kushtetutë e në Ligje, është e pamundur që të respektohet ligji, Kushtetuta dhe të zbatohen këto masa. Përpos që s’janë të mjaftueshme dhe të vonuara, këto masa e kanë edhe aspektin legal. Për këtë qëllim, ne si PDK e kemi bërë propozimin konkret që përfshin një pako që shkon deri në 320 milionë euro”, tha më tej deputeti i PDK-së.

Hamta tha se kjo pako, për të cilën tha se janë të hapur ta diskutojnë edhe më tej, përfshin shumë aspekte.

“Pagat për të punësuarit në sektorin privat, të cilët si rezultat i masave të ndërmarra si pasojë e koronavirusit, të paguhen nga 300 euro në muaj për tre muaj dhe kjo shumë shkon deri në 72 milionë euro. Përkrahja e ndërmarrjeve private: shumë ndërmarrje private e kanë ndaluar aktivitetin e tyre dhe janë të ndikuara direkt në afarizmin e tyre në mënyrë negative, dhe për këtë qëllim ne propozojmë një fond prej 40 milionë eurove për sektorin privat. Gjithashtu, përveç kësaj, parashikohen edhe lirime tjera, sa i përket tatimit në fitim në qira dhe lirime tjera në pjesën e tatimeve dhe shtyrjes së tyre. Shtesat për të punësuarit në sektorin publik, që janë në linjën e parë dhe në detyra emergjente, të paguhen me nga 300 euro shtesë për tre muaj ditë, ndërsa të punësuarit në Klinikën Infektikve, në IKSHPK, në shëndetësinë primare, por jo vetëm personeli profesional, por të gjithë, edhe pastruesit e edhe ata që punojnë në gazhina, të kenë për tre muaj ditë nga 500 euro shtesë. Tek skemat sociale, apo përfituesit nga transferet që i paguan Qeveria, të gjithë ata që pranojnë pagesa nga buxheti i Kosovës në emër të transferove sociale, për 3 muaj mbi pagesat bazë, të paguhen me nga 100 euro shtesë. Këtu hyjnë pensionistët e pensioneve bazike, apo pensionistët e moshës që kanë mbërri moshën 65-vjeçare, pensionistët kontributdhënës, kategoritë e dala nga lufta, personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, viktimat e dhunës seksuale, pensionistët e parakohshëm të Trepçës dhe të TMK-së, dhe shuma totale për këto kategori shkon në 78 milionë euro. Subvencionimi i ndërmarrjeve publike… është ndikuar afarizmi i tyre dhe shumë prej tyre s’po munden ta kryejnë aktivitetin e tyre, sidomos inkasimin, dhe jo vetëm ndërmarrjet publike qendrore, sepse disa prej tyre kanë afarizëm pozitiv, por edhe ato lokale, sidomos kompanitë për mbledhjen e mbeturinave, të subvencionohen me 20 milionë euro. Të themelohet fond emergjent për ministritë e linjës që janë në linjën e parë të luftës me pandeminë, MSH, Ministria e Mbrojtjes, e Brendshme, e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë, me një fond prej 25 milionë euro”, u shpreh ndër të tjera Hamza.

Tutje, ai tha se duhet ndarë buxhet edhe për komunat e vendit, por se ato PDK-ja i ka ndarë në dy kategori.

“Komunat që kanë deri në 50 mijë banorë, të përkrahen me nga 500 mijë euro nga niveli qendror. Ndërsa komunat që kanë mbi 50 mijë banorë, të përkrahen me nga 1 milion euro. Shuma totale është 21.5 milionë euro. Shtesat për të punësuarit në sektorin privat që janë të ekspozuar në linjën e parë, të paguhen në nivel deri në 5 milionë euro, por kur jemi te kjo kategori, kërkesë e jona është që të gjithë të punësuarit të jenë me kontrata të rregullta të punës. Mbështetje për komunitetet joshimicë, si komunitetet më të rrezikuara në aspektin social dhe ekonomik, deri në 5 milionë euro ndihmë dhe përkrahje. Mbështetje për kompanitë eksportuese, të paguhen deri në 15 milionë euro. Mbështetje financiare deri në 10 milionë euro për familjet që s’e kanë asnjë të punësuar dhe nuk janë pjesë e skemave sociale”, theksoi Hamza.

Për të gjetur financim për këto masa, shefi i GP të PDK-së, Bedri Hamza tha se janë tri burime të mundshme, ndonëse tha se edhe në buxhetin e aprovuar më herët mund të gjenden mundësi për financim, por shtoi se në këtë fazë nuk kanë ndërhyrë në strukturën e buxhetit, “por nëse paraqitet ndonjë tepricë brenda buxhetit të jetë një lloj amortizuesi në buxhet me qëllim që të ruhet stabiliteti makrofiskal”.

“Burimi i parë i financimit: shteti i Kosovës, vitin 2019 e ka përmbyllur me një gjendje të mirë financiare, me një bilanc bankar prej 458 milionë euro, dhe po i referohem raportit mbi ekzekutimin e buxhetit që është gjendja më e lartë në vitet e fundit. Shteti ka likuiditet. Edhe sot kur po flasim, shteti e ka bilancin bankar bruto rreth 460 milionë euro. Ne po propozojmë që këtë bilanc ta zvogëlojmë pa e dëmtuar shtetin, për rreth 129 milionë euro”, tha Hamza.

“Burimi i dytë: rritja e borxhit publik të brendshëm. Kosova vitin 2019 e ka përmbyllur me borxh publik prej afër 17.5 të bruto produktit vendor. Është situatë emergjente dhe ka nevojë t’i jepet infuzion ekonomisë. Borxhi publik të rritet për rreth 140 milionë euro”, tha ai.

Dhe burimi i fundit, sipas Hamzës, është huazimi nga institucionet financiare ndërkombëtare të rreth 52 milionë eurove.

Madje, sipas tij, mund të ketë edhe përkrahje nga institucione tjera, edhe nga BE, edhe nga BB.