Punëtorët po i grumbullonin mbeturinat javën që shkoi, pa e ditur se nga to mund të infektoheshin me COVID-19.
Kontejnerët e mbeturinave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), sipas infektologëve, përbëjnë një prej burimeve potenciale të infeksionit, duke rrezikuar pacientët, vizitorët e personelin shëndetësor.
Për çdo ditë, gati 1 mijë e 400 kilogramë mbeturina mjekësore grumbullohen nga hapësirat e QKUK-së, që pasi dërgohen në deponi, riciklohen, por problemi qëndron tek ato të paklasifikuarat.
“Infektive janë zakonisht të gjitha mjetet të cilat janë kontaminuara me viruse të ndryshme, me baktere të ndryshme, të cilat i hasim në institucione shëndetësore ku punohet çdo ditë; si raste të tilla i kemi dorezat, veshjet të cilat përdoren nga mjekët zakonisht, mirëpo edhe gjilpërat e shiringat”, ka deklaruar Visar Zekaj, internist-gastroenterolog.
Ndërsa nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) thonë se mbetjet mjekësore asgjësohen në inseratorin e QKUK-së, kurse mbetjet njerëzore janë detyrë e kompanisë së kontraktuar, “Kosova Limo” nga Ferizaj.
“Në thasë të verdhë vendosen mbeturinat infektive, në të zinj dhe të kaltër mbeturinat inerte dhe në thasë të kuq mbeturinat mjekësore radioaktive gjatë ekzaminimeve radiologjike, si dhe ato të kimioterapisë. Në kuti të mbeturinave vendosen mjetet e mprehta, shiringa gjilpëra dhe të tjera. Punë e mirë bëhet në sterilizatorin për asgjësimin e mbeturinave mjekësore, investim ky i bërë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në këtë sterilizator bëhet sterilizmi apo inertizimi i mbetjeve mjekësore, pa krijuar ndotje të ambientit. Përmes këtij sterilizatori bëhet inertizimi i mbeturinave mjekësore me metodat më të avancuara, përmes avullit në temperaturë 140 gradë celsius. Sa u përket mbetjeve njerëzore, placentat dhe pjesëve nga amputimet, QKUK ka kontratë me kompaninë “Kosova Limo”, e cila bën grumbullimin e tyre dhe më pastaj edhe varrimin e atyre mbetjeve”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
E, Burak Gashi, drejtor i kompanisë “Kosova Limo”, ka treguar se mbetjet njerëzore, nga QKUK-ja i dërgojnë për te varrezat e qytetit.
“I mbledhin në spital dhe në bashkëpunimin me Ministrinë e Mjedisit i marrim edhe i varrosim nëpër varreza të shtetit”, ka thënë Gashi.
Enver Tahiri nga Ministria e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor ka deklaruar se sasia e mbeturinave të përgjithshme për kokë banori është mbi 1 kilogram.
“Mbi 500 mijë tonë në vit bëhen mbeturina, shumica prej tyre shkojnë në deponi, e një pjesë e madhe e metaleve e plastikës ndahen me qëllim të riciklimit”, ka pohuar Tahiri.
Infektologët theksojnë se në vendet ku hidhen mbeturinat mjekësore duhet të ketë standarde të sigurisë, që të pamundësohet kontaminimi si dhe përhapja e sëmundjeve ngjitëse, sikurse COVID-19.