Fjalë Kyçe

Hapet rruga për konfiskim të pasurisë së paligjshme

Hapet rruga për konfiskim të pasurisë së paligjshme

Hartimin e një ligji që do të mundësonte konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme pa një aktgjykim dënues e ka propozuar Ministria e Drejtësisë.

Prej tri opsioneve të dhëna në koncept-dokumentin për pasurinë e fituar në mënyrë të pajustifikueshme, ky dikaster ka favorizuar hartimin e këtij ligji, duke dhënë dy modele të konfiskimit civil.

Por, njohës të fushës së drejtësisë thonë se një ligj i ri nuk do të sillte ndryshime praktike në këtë drejtim, raporton KOHA.

Megjithatë, nga Ministria e Drejtësisë, për të aplikuar ligjin e ri kanë planifikuar krijimin e një agjencie të pavarur.

Ministria e Drejtësisë në këtë dokument ka dhënë edhe dy mënyra tjera se si do të mund të konfiskohej pasuria e fituar në mënyrë të jashtëligjshme: ai i status quo-së që të mos ndryshohet asgjë, si dhe opsioni i përmirësimit të kornizës ligjore aktuale.

Ministrja Albulena Haxhiu edhe gjatë kohës sa ishte në opozitë ka ngritur çështjen e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, fillimisht duke thënë se duhet të bëhet përmes ligjit anti-mafia.