Kryeministri Ramush Haradinaj mohoi se kishte njohuri për punësimet partiake që u bën në institucionet e Kosovës.
Ai në një intervistë për Rubikon të KTV-së tha se nuk është mesazh i mirë dhe madje këtë e ka përcjellë edhe te partia që ai udhëheq, të cilëve tha Haradinaj, u ka kërkuar të distancohen nga një qasje e tillë.
“Nuk është mesazh i mirë, nuk është qasje e mirë. Në parti ua kam thënë që nuk është qasje e mirë kjo”, ka thënë Haradinaj.
Edhe pse grua të vëllait, Haradinaj tha se i sheh shumë rrallë dhe nuk e dinte që ishte pranuar në punë pa konkurs.
“Nuk e di, për besë nuk e di. Jo, është gruaja vëllait tim, e vërtetë që është. Unë e respektoj edhe vëllanë edhe atë po shumë rrallë po i shoh, edhe atë, edhe vëllanë, madje edhe Anitën e fëmijët”, thotë Haradinaj.
Megjithatë, Haradinaj foli për zyrën që ai udhëheq, duke thënë se më së paku ka të punësuar nga Aleanca.
“Shihni zyrën ku punoj unë, këtu kanë hy njerëzit në punë vetëm me kriter profesional. Në Qeverinë që e drejtoj unë më së paku ka të Aleancës”, ka thënë ai.