Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në shënimin e 24-vjetorit të themelimit të Aleancës në Deçan, prej ku ka dërguar mesazhe për rrugën euroatlantike të Kosovës .
Haradinaj ka thënë se AAK e ka kthyer me punë e zhvillim besimin e qytetarëve të Deçanit.
“Besimin e qytetarëve të Deçanit, tash e sa vjet, Aleanca e ktheu me punë e zhvillim. Në 24-vjetorin e themelimit të degës në Deçan, reflektohej entuziazmi për Aleancën, forcë e parë në vend, nisur nga fakti se Aleanca u dëshmua në qeverisje komunale e qendrore, me përgjegjësi, përkushtim e shumë punë të mira”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se nuk do të ndalemi në rrugën e nisur për ta bërë Kosovën anëtare të NATO-s.
“U ndjeva i nderuar pranë familjarëve, shokëve të fëmijërisë, bashkëluftëtarëve, bashkudhëtarëve politikë dhe të gjithë njerëzve të mirë të Deçanit. Asnjë moment nuk do të ndalemi në rrugën që e kemi nisur, për t’i ofruar vendit ndryshimin që meriton dhe pa e bërë Kosovën më të jetueshme dhe më të sigurtë, anëtare të NATO-s, krahas Amerikës dhe mbarë botës demokratike”, është shprehur Haradinaj.