Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një takim pune që ka zhvilluar sot me shefat e misioneve të shteteve të BE-së dhe vet shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka diskutuar për të arriturat dhe sfidat e vendit.
Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Kosova është e interesuar të arrij një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, që rezulton me njohje, shkruan Gazeta Alo.
Sipas tij, BE ka një sinjal të qartë që lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës të ndodh sa më shpejt.
Postimi i tij i plotë në Facebok:
Në takim pune me shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së dhe shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, diskutuam për të arriturat dhe sfidat e Kosovës në rrugën europiane. Republika e Kosovës është fuqimisht e vendosur për anëtarësimin në BE si prioritet i lartë i saj, gjersa vazhdon të punojë pandërprerë për të arritur zbatimin e plotë të MSA-së, dhe të respektojë obligimet e kontratës sonë të përbashkët. Qeveria është angazhuar plotësisht në përmbushjen e agjendës europiane, duke ndërmarr me këmbëngulje reforma të gjithanshme, sidomos për fuqizimin e sundimit të ligjit. Për të ecur përpara dhe që të sigurohet paqja afatgjatë dhe e ardhmja europiane për të dy shtetet, jemi të interesuar të arrihet marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke. Një sinjal i qartë nga BE, se respektohen arritjet tona dhe se kemi mbështetjen e saj në mënyrë aktive është realizimi në kohë optimale e lëvizjës së lirë për qytetarët e Kosovës./Gazeta Alo/