Fjalë Kyçe

Haradinaj kundër projektit të Mini-Shengenit, thotë se e gjunjëzon Kosovën

Haradinaj kundër projektit të Mini-Shengenit, thotë se e gjunjëzon Kosovën

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, konfirmoi se partia e tij për një moment kishte dalë nga koalicioni me LDK-në, më 4 shtator, kur pritej të firmoseshin zotimet ndaj SHBA-së në Uashington. Haradinaj tha se shkas ishte teksti për liqenin e Ujmanit, që e bënte hisedare të barabartë Serbinë.

Sipas tij, më pas teksti u ndryshua dhe tash është i pranueshëm për të dhe AAK-në. Haradinaj, i ftuar në KTV, tha se është një pikë tjetër ku nuk pajtohet nga ajo që është nënshkruar në Washington nga kryeministri Avdullah Hoti – mini-schengeni. “Problemi ynë është mini-schengeni, është një ide që përfiton vetëm Serbia, merr krejt privilegjet në rajon. Do të ishte shumë më e pranueshme që të bëhej njohja e Kosovës, apo të afrohej kjo njohje dhe më pas të ndodhte mini-schengeni. Këtu i kemi shqetësimet tona”, tha Haradinaj.

Dy ditë më parë, kandidati i LDK-së për kryeministër, Hoti, tha se në Washington nuk është ndërruar asnjë presje nga ajo që është firmosur, gjë që Haradinaj tha se po. “Ne vetëm kishim dalë nga koalicioni, por ndodhën disa ndryshime dhe e bën të pranueshme marrëveshjen për çështjen e liqenit të Ujmanit. Nuk shohim ndonjë të keqe nga fizibiliteti që ia kemi lënë SHBA-së. Nuk del ndonjë obligim. Ndërkohë që më herët thuhej se Kosova e Serbia duhet të merren vesh për shfrytëzim të përbashkët të liqenit”, shtoi Haradinaj.

Kandidati i AAK-së për president, Ramush Haradinaj ka thënë në Zgjedhjet në KOHË se refuzimi opozitar për Zajednicën dhe demarkacionin nuk është dashur të kualifikohet si vepër penale pasi siç ka thënë, ka pasur argument politik për këtë kundërshtim.

Këtë deklaratë Haradinaj e bëri duke aluduar në mos certifikimin si kandidat për deputet të liderit të VV-së, Albin Kurti nga KQZ-ja për zgjedhjet e 14 shkurtit për shkak të dënimit të tij për këto kundërshtime.

Haradinaj tha se nuk është në rregull që Kosova ka ardhur deri tek situata kur lideri i opozitës të mos lejohet të kandidoj për deputet. “Mendoj që qasja ndaj refuzimit opozitar për Zajednicën dhe demarkacionin nuk është dashur të kualifikohet si vepër penale sepse ka pasur argument politik, në bazë të demokracisë kemi besuar se po mbrojmë interesat e demokracisë. Nuk është mirë që na ka ardhur puna kështu. Unë nuk e shoh fort në rregull, kur demokracia njerëzve tona ua krijon një ndjenjë që me demokracinë e tyre nuk janë të barabartë sepse ata vetvetiu i bëhen armiq vlerave të vendit të vetë. Dëshira për të aplikuar standard të lartë ligjor dhe në bazë të tij me lënë liderin e opozitës jashtë zgjedhjeve është gabim”, është shprehur Haradinaj.

Kandidati për president nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk duhet pasur Qeveri të madhe siç ka pasur ai gjatë kohës sa ka qeverisur, porse zvogëlimin e Qeverisë nuk e sheh si zgjidhje. “Nuk duhet pasur numër të madh të zëvendësministrave sikur unë atëherë se nuk është në rregull. Por nuk duhet menduar që e ndihmojmë Kosovën nëse e zvogëlojmë Qeverinë”, ka thënë ai.

Sipas tij, më mirë është të jenë të veçuar sektorët sepse funksionimi i tyre është më i mirë. Haradinaj ka thënë se turizmi është sektor i cili mund të krijojë vende të reja të punës, pasi si i tillë është i kërkuar. Ai thotë se do të kishte propozuar që të bëhet një ministri e veçantë e Turizmit.

Ai ka përmendur edhe sektorin e gastronomisë, duke shtuar se ka pasur hapësirë për t’u gjetur një zgjidhje gjatë kohës së pandemisë. Lideri i AAK-së dhe kandidati i kësaj partie për president, Ramush Haradinaj, vlerëson se Kosova duhet të koncentrohet në rinovimin dhe ndërtimin e linjave të reja hekurudhore. Thotë se ka ardhur koha e tyre. Ndërkohë, thotë se ka ardhur edhe koha e autostradës së Dukagjinit, projekt i shumëkritikuar nga analistë e parti të tjera, por i përkrahur fuqishëm nga AAK-ja.

Haradinaj në një intervistë në KTV, tha se autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, por për nisjen e saj duhet të pritur viti i ardhshëm. “Këtë vit nuk do ta rëndojmë buxhetin e Kosovës, pasi është pandemi dhe ka mungesë ta parave. Por, vitin tjetër shpresoj se do të nis. Nuk kanë mbetur edhe shumë rrugë pa u kryer. Është kjo e Dukagjinit”, tha Haradinaj.

Projekti për autostradën e Dukagjinit në dy raste është paraparë edhe në buxhetin e Kosovës, që ishte kusht i AAK-së për votim të tij, por më pas është lënë anash si projekt për shkak të kostos së madhe.

Ai ka folur edhe për linjat hekurudhore, që sipas tij, tash janë shumë të rëndësishme për Kosovën. “Gjendja e tyre nuk është e mirë, janë të papërdorshme, por falë një programi me BE-në po i riaftësojmë për shpejtësi deri në 120 km, nuk janë të kohës, por bën të përdoren. Linja për Shkup është duke u rinovuar, pastaj do të bëhet për veri e Pejë, duhet më e shtri rrjetin e hekurudhave, kilometri nuk është i kushtueshëm, por është shumë i përdorshëm”, ka thënë Haradinaj.