Fjalë Kyçe

Haradinaj ndau 35 Harta të Arta, shumë prej tyre në dasma apo festa ditëlindjesh

Haradinaj ndau 35 Harta të Arta, shumë prej tyre në dasma apo festa ditëlindjesh

Për dy vjet qeverisje me ekzekutivin e vendit, Ramush Haradinaj ka ndarë shumë dhurata në dasma e ditëlindje me para të shtetit. Në vlerë të së paku 3 mijë e 465 euro janë dhënë Harta të Arta të Kosovës personalisht nga kryetari i AAK-së, prej tyre më shumë se gjysma janë ndarë në dasma dhe ditëlindje ku Haradinaj ishte i ftuar.

Këto të dhëna KOHËS i janë bërë të ditura pas një kërkese për qasje në dokumente zyrtare. Të dhënat e plota fillimisht ka refuzuar t’i japë Zyra e Haradinajt dhe ato për televizionin janë bërë publike vetëm pas një ankese në Zyrën e Avokatit të Popullit.

Sipas tyre, gjithsej ish-kryeministri ka ndarë 35 Harta të Arta të Kosovës, prej tyre 12 janë ndarë në dasma dhe 1 në ditëlindje. Këtë dhuratë, e cila u jepet me motivacionin për shkëlqyeshmëri personaliteteve e personave zyrtarë për kontributin e tyre, është punëdore dhe vlera e saj është nga 99 deri në 140 euro.

Nëse llogaritet çmimi më i lartë, këto i kanë kushtuar taksapaguesve 4 mijë e 900 euro. Njërën prej tyre, me rastin e martesës, Haradinaj ia dhuroi vajzës së bashkëpartiakes së tij, deputetes Teuta Haxhiu.

Hartën e Artë të Kosovës, si dhuratë nga kryeministri e mori edhe vajza e atëkohë këshilltarit të Haradinajt, Arbër Vllahiut. Pa dhuratë me rastin e martesës, Haradinaj nuk la as vëllain e ish-ministres Albena Reshitaj e as vajzën e ministres Emilja Rexhepi.

Një të tillë, ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte edhe për djalin e ish-ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka. Hartën e Artë të Kosovës si dhuratë nga kryeministri e mori edhe Familja e Riza Nokës me rastin e martesës së djalit të tyre Shkumbinit me Hanën. Por, kryeministri nuk la keq as familjen e nuses.

Hartën e Artë të Kosovës, dhuratë ish-kreu i Qeverisë e bëri edhe në dasmën e familjes Geci, familjes Lekaj, familjes Osa, Krasniqi, si dhe familja Kuçi. Kësaj të fundit, kryeministri ia dhuroi Hartën e Artë të Kosovës djalit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Selman Kuçit, me rastin e ditëlindjes së 14-të.

Por, këtë dhuratë që ish-kryeministri e ndau për miq e familjarë të bashkëpartiakëve të tij, e njëjta është paraparë të ndahet për personalitete të ndryshme ndërkombëtare.

Atë, Ramush Haradinaj ia ka dhënë edhe ish-ambasadorit të SHBA-së, Greg Delawie, aktivistes Natasha Kandiq, kryeministrit të Malit të Zi, Dusko Markovic, këngëtares së njohur shqiptare me famë botërore, Rita Orës, e personaliteteve të shumta ushtarake.

Ndarja e dhuratave nga kryeministri nuk është e rregulluar me ligj. Zyra e tij ka thënë për televizionin se për këtë i janë referuar nenit 11 të Ligjit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publikë.

Megjithatë, ky nen specifikon vetëm dhuratat që mund t’i pranojë një zyrtar publik e jo ato që mund t’i ndajë me para të shtetit, përpos pikës 9 të këtij neni, e cila parasheh që dhuratat protokollare si simbole shtetërore e të tjera, mund të përdorën vetëm gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.