Kandidati për presidenti nga AAK-ja, Ramush Haradinaj, ditën e sotme e ka nisur me një vizitë në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë, ku u takua me kryeimamin Idriz ef.Gjigoli me bashkëpunëtorë, njofton Klan Kosova.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se bashkëjetesa mes besimeve të ndryshme, duhet të shërbejë si model edhe për skenën politike e cila ka nevojë për unitet në përballje me krizën ekonomike dhe forcimin e shtetit.
“E nisa ditën me vizitë në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë ku takova kryeimamin Idriz ef. Gjigoli me bashkëpunëtorë.
Shqiptarët mbeten shembulli më i mirë i bashkëjetesës, vlerë kjo e trashëguar dhe ruajtur brez pas brezi.
Përpjekjet tona për liri e pavarësi, kanë njohur kontributin e prijësve fetarë të të gjitha feve në mesin e shqiptarëve.
Bashkëjetesa mes besimeve të ndryshme, duhet të shërbej si model edhe për skenën politike e cila ka nevojë për unitet në përballje me krizën ekonomike dhe forcimin e shtetit”, ka shkruar Haradinaj.