Kryeministri Ramush Haradinaj mori pjesë në programin e organizuar për nderë të ditës së Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Maxhun Çekaj”, në fshatin Irzniq të Komunës së Deçanit.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se, është nder për të, që sot mund ta ndajë këtë kohë bashkë, në Rezarë, ku edhe ai ishte nxënës dhe i kaloi të gjitha ato që i kalon një nxënës.
“Jam këtu, për shkak të njerëzve të këtij fshati, të vlerës së tyre humane e familjare, por po ashtu edhe për vlerën kombëtare, patriotike, për vlerën tuaj për liri”, tha kryeministri Hardinaj, duke shtuar se sot është moment i mirë, pasi që bashkon shumë vlera në një vend.
Kryeministri Haradinaj vlerësoi lart rëndësinë e kësaj shkolle, duke thënë se këtu ka shumë porosi që jepen në një vend, procesi i dhënies së dijes, i nxënies, edukimit të fëmijëve dhe, po ashtu kjo shkollë ishte edhe vendkomandë e UÇK-së, në të cilën janë marrë vendime të rëndësishme për lirinë e vendit.
Kryeministri Haradinaj tha se në këtë shkollë kanë kaluar fëmijë, që i kanë takuar gjeneratës së disidentëve, kundërshtarëve të pushtimit, të kundërshtarëve të ideologjive të Jugosllavisë së atëhershme, dhe gjithashtu shtoi se kjo shkollë vërtetë mban një emër të respektuar, një emër origjinal, një emër të vendit, një vlerë të këtij vendi, të cilin askush mijëra vjet s’mund ta kontestojë.
“Maxhun Çekaj, ishte njeri i jashtëzakonshëm, me vlera të jashtëzakonshme njerëzore, një edukator shembull, i cili është kthyer në prind për luftëtarët e rinj, të cilët i edukoi, i aftësoi dhe nuk i la vetëm”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se kjo është një vlerë që duhet çdoherë të mbahet me besnikërinë më të madhe, sepse emri i Maxhun Çekajt nderon çdo hero shqiptar dhe të gjithë janë të qetë, për arsye se ky emër është i merituar.
Kryeministri Haradinaj tha se do ta mbështesë arsimin jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në kualitete tjera të nevojshme dhe potencoi se duhet avancuar për një luftë të ashpër globale ekonomike, duke porositur profesorët që këtë ta kenë parasysh, sepse nga ajo që ata ndihmojnë fëmijët, do të bëhen të aftë, të cilët pastaj do të jenë të suksesshëm dhe kjo është detyrë e secilit.
“Ne i takojmë botës që e udhëheq Amerika, jemi botë euroatlantike, por edhe për me qenë të suksesshëm në botën tonë, duhet t’i dimë trendët dhe zhvillimet”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se sot është këtu për t’iu konfirmuar respektin që ka Kosova dhe të gjithë liridashësit kudo për vlerat e tyre të lirisë, të cilat vlera i mishëron në mënyrën më të lavdishme profesori, komandanti, heroi, Maxhun Çekaj.
Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi, tha se ndjehet i nderuar që pas kërkesës së DKA-së, mori vendim për riemërtimin e kësaj shkolle me ermin e dëshmorit Maxhun Çekaj. Pasi uroi për ditën e shkollës, tha se dëshirojnë që shkollat gjithnjë të jenë në festë, për të festuar sukseset dhe rezultatet e mira që i arrijnë.
Ministri Bytyçi vlerësoi se shkollat tona nuk luanin vetëm rolin e edukimit dhe të arsimit, por luanin edhe një rol shtesë, përgatitjen e shumë patriotëve, të rinjve dhe intelektualëve, që ishin të gatshëm të flijoheshin për një të ardhme, të cilën sot e gëzojmë.
Bekim Vishaj, drejtor i Drejtorisë Komunale për Arsim në Komunën e Deçanit, në emër të kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj, uroi ditën e shkollës dhe theksoi se, kjo ditë është e veçantë, për shkak se kjo është ditëlindja e profesorit, tani dëshmor, Maxhun Malë Çekaj.
“Emërtimi i kësaj shkolle me emrin e dëshmorit Maxhun Malë Çekaj, brezave që vijnë, iu tregon se sa e respektuam dhe sa duhet të respektojmë vlerat tona, historinë dhe kulturën tonë të kombit shqiptar”, tha Vishaj.
Drejtori i Shkollës, Mehdi Dodaj, foli rreth historikut të shkollës që nga themelimi e deri në ditët e sotme, duke thënë se sot janë bashkë për të festuar një datë të rëndësishme, e cila i dha dritë fshatit Irzniq, por edhe fshatrave përreth, datë në të cilën nisën mësimet nxënësit e kësaj ane. Më tej, drejtori Dodaj tha se sot festojnë edhe një vjetorin e riemërtimit të shkollës me emrin e dëshmorit të kombit, Maxhun Çekaj.
Kryeministri Haradinaj, për kontributin e madh të Maxhun Çekajt për lirinë e vendit, e dekoroi atë me Medaljen e Kryeheroit Gjergj Kastrioti Skenderbeu.