Fjalë Kyçe

Haradinaj për partneritetin Kosovë-SHBA: Kryeministër, presidente mos e merrni në qafë Kosovën

Haradinaj për partneritetin Kosovë-SHBA: Kryeministër, presidente mos e merrni në qafë Kosovën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se i sheh me shqetësim deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili të enjten ka theksuar se situata me dinarin e ka dëmtuar partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Haradinaj ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, siç ka thënë “të mos e marrin në qaf Kosovën”.

Ai ka kërkuar që Kosova t’i rregullojë raportet me SHBA-në, në mënyrë që ta fitojë anëtarësimin në NATO.

“Besoj se duhet ne në Kosovë të gjithë të kemi qartësi, pra s’guxojmë më tutje të heshtim nëse e shohim ambasadorin në konferencë për shtyp, shqetësimin e tij, emocionin e tij se ai me dhimbje i thotë ato që i thotë, edhe nëse nuk veprojmë nuk është mirë. Pra së pari i kisha bërë thirrje kryeministrit, presidentes të mos e marrin në qaf Kosovën, pra t’i kthehen një marrëdhënie të besueshme me Amerikën edhe ta synojmë fitoren e krejt fitoreve që është anëtarësimi në NATO, e jo fitore ditore sa me e rrit votën sepse partitë shkojnë e vijnë por Kosova pa Amerikën e ka vështirë”, ka thënë Haradinaj në një deklarim për EO.

Hovenier në një deklarim për media të enjten, e ka bërë të qartë se situata me dinarin ka ndikuar në partneritetin e SHBA-së me Kosovën, duke demantuar eksponentë të Qeverisë të cilët e kanë thënë të kundërtën.

Hovenier ka thënë se SHBA-ja ka shqetësime domethënëse për Rregulloren e re të BQK-së.

“Një nga zyrtarët më të lartë amerikan, James O’Brien e bëri të qartë dhe mesazhi im është i qartë – SHBA-ja ka shqetësime domethënëse për zbatimin e Rregullores së BQK-së. Shqetësimet i kemi thënë në publik dhe privat”, ka thënë Hovenier.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila ka hyrë në fuqi nga 1 shkurti, e bën euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë. Kjo ka nxitur reagime nga komuniteti serb që pranon pagesa në dinarë nga Serbia. Ndërkombëtarët, veçanërisht SHBA-ja, i kanë bërë thirrje Qeverisë ta shtyjë vendimin për një periudhë tranzicioni, për të informuar më mirë qytetarët. Por nga Qeveria nuk kanë dhënë shenja do të heqin dorë – megjithëse BQK-ja ka njoftuar se do të ketë afat tre muaj për “edukim dhe informim” të komuniteteve. Ministri i Financave, Hekuran Murati, të mërkurën ka thënë se raportimet për prishje të marrëdhënieve me SHBA-në janë “propagandë e Beogradit”.